Kryeqyteti i Afganistanit ka përjetuar një tjetër ditë të përgjakshme pas gati tre muajve paqe me rebelët talibanë. Të paktën 6 persona kanë humbur jetën nga një sulm kamikaz në një akademi ushtarake.

Dy civilë dhe katër pjesëtarë të personelit ndërruan jetë si pasojë e shpërthimit të fuqishëm, ndërsa 12 persona mbetën të plagosur.

"Në fillim dëgjova një zhurmë të tmerrshme. Shkova në vendngjarje për të parë ç'kishte ndodhur dhe pashë disa nga personeli të shtrirë në tokë. Ishte herët në mëngjes dhe nuk i dallova shumë nga viktimat," tregon një dëshmitar okular.

Shpërthimi ndodhi në orën 7 të mëngjesit me kohën lokale, në një postbllok policor në portën e universitetit të administruar nga qeveria, teksa po vinin kadetët e akademisë.

Sulmi u parapri me të shtëna armësh nga ana e forcave afgane të rendit.

Ngjarjen e fundit tragjike nuk e ka marrë përsipër ndonjë grup rebel, por mendohet të jetë vepër e militantëve talibanë të cilët luftojnë prej dekadash dhe tani kontrollojnë afro gjysmën e Afganistanit.

SHBA-ja po tenton në vijimësi të ulë palët në bisedime.

Akademia është sulmuar edhe më parë, siç ishte episodi i majit të vitit të kaluar, kur një sulm kamikaz në të njëjtin vend do të linte 6 persona të vrarë.

/Ora News.tv/