Një stuhi e pazakone vere përfshiu jugun e vendit mbrëmjen e së mërkurës, duke shkaktuar përmbytje e problematika në disa qytete bregdetare.

Në Vlorë, rrebeshi i shiut shkaktoi përmbytje në disa akse kryesore të qytetit.

Uji mbuloi bulevardin Vlorë-Skelë, akset lidhëse të rrugës Transballkanike me bulevardin e Vlorës, lagjen "Pavarësia", si dhe disa blloqe banimi në brendësi të qytetit.

Dëmtime kishin pësuar edhe bizneset në vijën bregdetare.

Në Orikum një vrojtues mbeti i plagosur ndërsa po rregullonte dëmet e stuhisë.

Ai u godit në kokë nga një tub çadre e për pasojë mbeti gati 30 minuta në gjendje të pavetëdijshme deri në mbërritjen e ambulancës.


Stuhia ishte fortë edhe në qytetin e Sarandës.Lokale dhe banesa të dëmtuara, pemë të thyera dhe vështirësi në qarkullim ishin pasojat e erës së fortë dhe shiut.

Në mëngjes, punonjësit e bashkisë dhe pronarët e bizneseve nisën pastrimin e mbetjeve të stuhisë, për të cilën thonë se nuk kishin parë të ngjashme.

"Patëm frikë shumë. Patëm disa dëme."

Zona të tëra të Gjirokastrës u përfshinë nga stuhitë e shiut dhe breshërit.

Aksi rrugor Gjirokastër-Kakavijë u bllokua për disa minuta gjatë natës

Dëme materiale pati në shtëpi e biznese.

"U thye dega e asaj dhe çatia është prishur, është bërë vrimë."

Orët e natës ishin të vështira për banorët e pushuesit në qytetet bregdetare, por kur dielli doli e gjithçka filloi të normalizohet,  të shumtë ishin ata që iu drejtuan plazhit pas stuhisë së verës.

/Ora News.tv/