Me sy e veshë nga Tirana, studentët e rretheve mbështeten nga gjimnazistë e qytetarë
Me sy e veshë nga Tirana, ku sot kulmoi protesta, studentët e rretheve vijuan rezistencën edhe në qytetet ku studiojnë. Ata vërshuan në rrugë e bulevarde, ku me thirrje e pankarta thanë se nuk ka tërheqje pa u plotësuar kushte.
Në ditën e 7 të protestës, studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, u mbështetën edhe nga gjimnazistë e qytetarë.
Marshimi i nisur nga Godina e Universitetit, vijoi në rrugët e qytetet e më pas një pjesë e studentëve udhëtuan drejt Tiranës.
Ndërsa të tjerët, ndërsa denoncuan për presione nga Policia ndaj drejtuesve të autobusëve, bllokuan aksin nacional Elbasan-Tiranë.
Studentët e Durrësit ndërkohë iu bashkuan masivisisht tubimit në Tiranë.
Masive ishte protesta këtë të martë në Korçë.
Studentëve të Universitetit iu bashkuan edhe nxënës të gjimnazeve, por ata që ranë në sy ishin ky çift të moshuarish.
Me pankarta në duar dhe me brohoritje, studentët marshuan nëpër qytet duke theksuar se nuk do të ndalen.
Gjimnazistë e banorë kishin në krah edhe studentët e Universitetit të Shkodrës.
Protesta nisi nga shëshi simbol i 2 prillit, ndërsa më tëj ata vërshuan në rrugët e qytetit.
Studentët e Vlorës, pas protestës nëpër qytet u grumbulluan në sheshin e Flamurit, nga ku u zotuan se nuk ka më kthim pas.
Në Gjirokastër ishte dita e tretë e protestës, dhe studentët ishin më të shumtë. Ata mashuan në rrugët e qytetit, me kërkesa të njëjta si në të gjithë Shqipërinë.
Një protestë simbolike u mbajt edhe në filialin e Universitetit në Sarandë.
Ora News përcolli protestën
Ora 11:41 Studentëve të Vlorës u janë bashkuar dhe gjimnazistë te sheshi i Flamurit.
Ora 11:37 Studentët në Vlorë zhvendosen drejt sheshit të Flamurit.
Ora 11:04 Studentët e Elbasanit hipin në autobusa
Ora 10:35 Dy autobusë nga Elbasani drejt Tiranës, të tjerë studentë bllokojnë rrugën
Dy autobusë me studentë nga Elbasani nisen drejt Tiranës. Pjesa tjetër e mbetur ka bllokuar rrugën në qytet. Devijohet qarkullimi i mjeteve. Studentët nuk lejojnë asnjë mjet të kalojë.
Nisja e protestës në qytete
Në Korçë, studentëve të Universitetit "Fan Noli" u janë bashkuar dhe gjimnazistë të shkollave të mesme.Me pankarta në duar kanë filluar marshimin drejt qendrës së qytetit.
Edhe në Elbasan ka nisur grumbullimi para Universitetit "Aleksandër Xhuvani", ku me studentët janë bashkuar me gjimnazistë të "Dhaskal Todrit' dhe 'Kostandin Kristoforidhi'.
Gazetarja jonë Belinda Ruçi raporton se në Universitetin 'Aleksandër Xhuvani' se në disa prej auditorëve po zhvillohet mësim me ata studentë që nuk i janë bashkuar protestës.
Nga Universiteti kanë vijuar marshimin drejt rrethrrotullimit të luleve. Policia vijon të jetë prezent në çdo segment rrugor për normalizimin e qarkullimit.
Më pas studentë dhe gjimnazistë do të udhëtojnë me dy autobusë të vënë në dispozicion drejt Tiranës.
Protesta po zhvillohen edhe në Vlorë.
Edhe në Filialin e Universitetit të Sarandës ka nisur mbledhja e studentëve.
Me thirrjen "Ne jemi studenta, nuk kemi frikë" edhe studentët e Universitetit të Gjirokastrës "Eqrem Çabej" po protestojnë para godinës.
Më pas studentët kanë vijuar marshimin drejt urës së lumit, duke bllokuar rrugën kryesore.
Me dhjetëra studentë të Universitetit "Luigj Gurakuqi" po protestojnë dhe në Shkodër.
"Ne jemi të vendosur ndaj kërkesave tona si ndaj Rektoratit, ashtu dhe Ministrisë Arsimit. Sot më shumë se kurrë duhet të jemi të bashkuar, jo vetëm studentët por edhe gjimnazistët".
Edhe në Durrës studentët e Universitetit "Aleksandër Moisiu" po protestojnë.