Studentët ndezin tymuese para Kryeministri, kërkojnë rrëzimin e ligjit
Pas festave të fundvitit, studentët iu kthyen këtë të hënë protestave. Zgjidhjen e dhënë nga kryeministri nuk e pranojnë pasi e duan me votën në parlament dhe jo me vendim të Këshillit të Ministrave. Në protestën e sotme atyre u janë bashkuar dhe qytetarë, banorët e Astirit, minatorë , përfaqësues të shoqërisë civile, artistë etj.
Mëngjesin e 7 janarit, 2019, studentët rinisin proetstën, duke sfiduar temperaturat e ulëta, thirrjet e pedagogëve për tiu rikthyer auditoreve apo dhe vendimin e disa studentëve për të zhvilluar mësim.
Në fillim mbyllën portat e Fakulteteve me zinxhirë dhe gozhduan dyert. Më pas, rreth orës 10:00 marshuan drejt kryeministrisë.
Ata qëndruan për disa orë para Kryeministrisë, duke kërkuar nga kryeministri të amendojë ligjin e arsimit të lartë. Sipas tyre, VKM e miratuar nga Rama mund të ndryshojë çdo moment, ndaj për kërkesat e tyre kërkojnë "vulën" e parlamentit.
Sikundër kishin paralajmëruar surpriza, veç banderolës gjigande te Politekniku, studentët rreth orës 11:53 ndezën flakadanë para Kryeministrise, teksa kendonin dhe kenge atdhetare. Pasi digjnin tymueset, ata gjuanin me boshtet plastike të mbetura godinën e Kryeministrisë.
"E vetmja mënyrë që të kenë zgjidhje janë amendimet në parlament" thonë studentët ndërsa shtojnë: "Jemi këtu për të vazhduar me kërkesat. Duam përgjysmim të tarifave për të gjitha nivelet e studimit"
Ndërsa studentët ishin në protestë përmes një postimi në Twitter kryeministri tha se protesta është marrë peng.
Vetë studentët thanë se protesta do zgjasë pa afat deri në ndërgjegjësimin e kryeministrit për problemet e arsimit të lartë dhe rishqyrtimin e ligjit. Protesta do vijojë nesër, ndërsa sot ajo u mbështet dhe nga një grup banorësh të
Astririt.
Ora News percolli live protesten e studenteve
Studenti: Nuk do ta lejojmë më këtë ligj të jetë në fuqi. Ky ligj vazhdon dhe merr gjakun e prindërve tanë.Sot duhet të jemi më të bashkuar se kurrë. Nesër ne do të na merret e ardhmja dhe rinia. Qëndroni të bashkuar. Kjo protestë është për të gjithë rininë, studentët, të gjithë gjimnazistët. Nëse nuk ngrejmë zërin sot, nesër do të jemi një hiç.
Studenti: Edhe Zoti është me ne, shikoni çfarë dielli. Kuptojeni paketën e Kryeministrit. VKM ndryshon me vullnetin e Kryeministrit në çdo moment. Paketa që na propozon me kushtin e anglishtes falas përveçse nuk na ndihmon, na fyen inteligjencën. Ne nuk jemi vetëm për veten tonë, por mendojmë dhe për brezat e ardhshëm. Ne kërkojmë që pozitë dhe opozitë të na mbështesin me vepra, duke shkuar në parlament të amendojnë ligjin me 3/5 në mënyrë që kushdo që të vijë në qeveri të mos guxojë ta prekë ligjin e arsimit të lartë. Më kanë ardhur mesazhe nga prindër të studentëve në Tiranë dhe rrethe, janë kontaktuar duke i shantazhuar që fëmijët e tyre të futen nëpër Fakultete.
Të keni turp e faqe të zezë, ju kriminelë, ordinerë, hajduta, të korruptuar! Ne nuk ndalemi, do të fillojmë më fuqisëhm, protesta nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave. Boll më me emigracion, ne duam të jetojmë këtu në vendin e Rilindasve të vërtetë jo rilindasve hajdutë, sharlatanë, maskarenj, pa pikë cipe.Zoti është me ne, populli është me ne, qëndroni të fortë!
Ora 11:40 Përfaqësues politik në mbështetje të studentëve
Studentja: Kanë ardhur disa përfaqësues politik që donin të flisnin. Kemi kërkuar mbështetjen e tyre deri në momentin që nuk na bëhet propagandë politike. Nuk mund të themi emra.Kërkuan fjalën, pa e ditur se çfarë do të thonin menduam ta diskutojmë. Do të vazhdojnë të flasin. Pakti i Ramës është vetëm deri në mbyllje të këtij viti. Ishte një show, tallje që kryeministri ka kohë që e bën dhe po vazhdon ta bëjë me ne. Ende asgjë nuk ka vajtur në Fakultete zyrtarisht. Gjeologjikju e provoi dialogun me Kryeministrin dhe vazhdojnë të jenë pa godinë.
Ora 11:23 Banderolë gjigande te Politekniku: Fundi i Katovicës, sot vendosim ne!
Ora 11:15 Studentët i përgjigjen Ramës me kundër-pakt për Universitetin, ja çfarë kërkojnë
Ora 10:59"Mbushni xhepe, mbushni arka,të pabrek' ju gjeti dreka, milionier' ju gjeti darka!"
Ora 10:29 Mbërrijnë para kryeministrisë edhe studentët e Inxhinierisë, Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe ato të Shkencave Sociale
Studentja për gazetaren e Ora News, Fjorela Beleshi: "Protesta besoj se do të vazhdojë deri në orën 14:00. Do të ketë shumë surpriza".
Ora 10:18 Ka nisur protesta e studentëve para Kryeministrisë. Ata apelojnë qeverinë dhe kryeministrin Rama të anulojë ligjin për arsimin e lartë.
"Kërkesa bazike, protesta legjitime" thërrasin ata në kor.
(Foto: LSA)
Ora 10:00 Nis marshimi edhe i studentëve të Mjekësisë
Ora 09:56 "Studentët janë kërcënuar me telefonata anonim, s'futeshin dot në rrjete sociale"
Mbyllja e portave të Fakulteteve me zinxhirë dhe dry apo dhe gozhdimi i tyre nga studentët duket se ka qenë një ide e ardhur në momentet e fundit para protestës.
Ana, studentja e Arkitekturës e njohur për mesazhet e shkëmbyera me kryeministrin Rama për protestën, u shpreh për gazetaren e Ora News Erblina Mile se veprimi i studentëve vjen si shenjë revolte ndaj kërcënimeve që kanë marrë me numra anonimë apo dhe hakerime në rrjetet sociale.
Ana: Simboli i mbylljes së portave me zinxhirë ka qenë si shenjë revolte ndaj asaj që ka ndodhur dje në darkë. Shumë studentë janë kërcënuar me telefonata anonime dhe janë bllokuar që të futen në rrjetet e tyre sociale. I them atij që e ka bërë që po lufton në mënyrë shumë të ulët me disa studentë që nuk po kërkojnë gjë tjetër veç të drejtës së tyre. Kemi të drejtën tonë të protestojmë.
Ora 09:42 I ftohti bllokon marshimin e studentëve të Korçës
Në Korçë studentët kanë vendosur të bojkotojnë mësimin. Pasi kanë qëndruar për pak kohë para Universitetit janë larguar. Por nuk kanë bërë marshim në qendër të qytetit, si herët e tjera. Termometri ne oren 09:40 shenonte -4 grade.
Ora 09:35 Nis marshimi i Shkencave Sociale
Ora 09:33 Incident tek Politekniku
Studentët kanë shpalosur një banderolë me thirrjen për bojkot ne katin e fundit të godinës. Rojet e sigurisë e kanë hequr dhe kjo ka krijuar tensione. Banderola me pas eshte vendosur ne hyrje të portës. Në mëngjes studentët kanë bllokuar hyrjen. Aktualisht është një klasë që po zhvillon mësim, janë rreth 7 studentë.
Pedagogët u kanë thënë që duhet të dorëzojnë disa projekte në të kundërt nuk do të lejohen të futen në provim. Disa studentët të tjerë kanë thënë që ka një pakt mespedagogëve që të mos penalizohen studentët.
Ora 09:31 Studentët e Ekonomikut marshojnë drejt Kryeministrisë, u bashkohen edhe të Filologjikut.
Ora 09:15 Paralajmërimi për Ramën: Sot do të shohë fytyrën e vërtetë të studentëve
Studentët mbeten të vendosur për bojkot 100% të auditoreve ditën e sotme.Teksa ka nisur grumbullimi i tyre, studentët tek Politekniku në një prononcim për gazetaren e Ora News, Nertila Dosti, u shprehën se veç Tiranës do të ketë protestë dhe në rrethe.
Lidhur me Paktin për Universitetin të qeverisë, ata e cilësojnë fasadë. Teksa lëshuan dhe një paralajmërim për Ramën.
Studenti: Kjo është thirrja e fundit nga studentët. Sot do të shohë fytyrën tonë të vërtetë sepse deri tani është tallur me ne. Boll me tentativat me freshista, pedagogë dhe rektorë të shitur. Ne nuk na blen dot.Kemi pasur presione. Që në mëngjes ka ardhur poolicia duke mos na lejuar të thirrim studentët për bojkot. Studentëve u janë bërë presion dhe nga dekanët dhe anëtarët e partive që janë futur në Universitete, kryesisht FRESSH. Por nuk do t'ia arrijë dot, kauza jonë mund të jetë politike, por nuk është partiake.
Ora 09:14 Studentët e Mjekësisë janë mbledhur para spitalit pasi kanë bllokuar derën e Universitetit për të mos lejuar zhvillimin e mësimit. Në 10:00 do të nisen drejt Kryeministrisë.
Ora 09:07 Studentët e Ekonomikut nisen drejt Kryeministrisë
Ora 08:58 Nis grumbullimi i studentëve
Ka nisur grumbullimi i studentëve pranë Fakulteteve përkatëse. Gazetarët e Ora News do të përcjellin hap pas hapi çdo zhvillimi.
Që në orët e para të mëngjesit, studentët kanë kyçur portat për të mos lejuar zhvillimin e mësimit me dry, por edhe me gozhda.
Nga Fakulteti i Politeknikut raportohet se një pjesë e studentëve kanë nisur mësimin.
Ora 08:23 Studentët kalojnë në aksion, gozhdojnë dyert e Fakulteteve
Studentët e kanë nisur herët në mëngjes aksionin e tyre. Klajdi Bello, një nga studentët me aktivë të protestës, ka postuar një video në fb, ku shihet një student me duke gozhduar derën e një prej Fakulteteve për të mos lejuar zhvillimin e procesit mësimor.
Asnjë tërheqje nga 9 kërkesat
Këtë të hënë (7 janar 2019) studentët do t`i lënë serish bosh auditorët dhe do t`i rikthehen protestës. Ata paralajmërojnë një tubim masiv para Kryeministrisë me mbështetje të studentëve të rretheve dhe qytetarëve.
Nuk kanë hequr dorë nga 9 kërkesat ndërsa thonë se ato mund të shtohen pasi çdo fakultet do të përpilojnë në vijim një liste me problematikat për të cilat do të kërkojnë zgjidhje nga qeveria.
Organizimi do të jetë i njëjtë do të nisë nga fakultetet në orën 8 dhe në orën 10 do të marshohet drejt kryeministrisë. Pankartat nuk do të mungojnë, paralajmërojnë edhe surpriza, por nuk pranojnë të zbulojnë detaje.
"Protesta do të vijojë me orare të zgjatura, por turni i natës do të hiqet, sepse bëhen presione dhe makinacione të shumta", tha një tjetër student.
Sa i përket paktit me universitetin, lançuar nga kryeministri, studentët nuk shprehen të kënaqur dhe thonë se nuk është zgjidhur asnjë prej kërkesave.
Protesta nuk do të ketë një afat, studentët shprehen se ajo do të përfundojë në momentin që kërkesat të marrin zgjidhje, po ashtu nuk përjashtojnë mundësi për përshkallëzim.