Strategjia amerikane për të parandaluar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e ardhshme

Strategjia amerikane për të parandaluar ndërhyrjen e Rusisë

Zgjedhjet e mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara janë më pak se katër muaj larg. Zyrtarët po marrin masa për të parandaluar një përsëritje të ndërhyrjes ruse, të diktuar nga shërbimet amerikane të zbulimit gjatë zgjedhjeve të 2016-ës. Siç njofton korrespondentja Carrolyn Presutti, ndër këto masa është edhe një sistem që lajmëron publikun për ndërhyrjet e huaja:

Asgjë nuk është më e shenjtë për demokracinë, se sa zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Votuesit vijnë me besimin se vota e tyre ka rëndësi. Por, kjo premisë është sulmuar që kur u zbulua se Rusia ndërhyri në zgjedhjet e 2016-ës. Ligjvënësit thonë se pjesa e parë e strategjisë është fillimi i sanksioneve.

“I kemi vendosur sanksione Rusisë, si një mënyrë që të mbajë përgjegjësinë. Për më tepër, po sigurohemi që mos ta përsërisin dot”, tha Paul Ryan, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Por, koha nuk premton. Po afrohen me shpejtësi zgjedhjet e mesmandatit që mbahen në muajin nëntor, kur votuesit gjykojnë për punën e një presidenti të ri, duke ruajtur, apo duke zëvendësuar ligjvënësit në Kongres.

“Ky amendament është reagimi ynë, në partneritet me shtetet amerikane, për t’i përplasur derën në fytyrë ariut rus, apo çdo rreziku tjetër që synon të godasë integritetin e zgjedhjeve tona”, tha Ligjvënësi demokrat Steny Hoyer.

Departamenti i Drejtësisë po paralajmëron tashmë publikun për ndërhyrjen e huaj në procesin zgjedhor. Në thelb të strategjisë është vigjilenca e votuesve. Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein, thotë se keqbërësit kibernetikë vendosën në objektiv 21 shtete amerikane gjatë zgjedhjeve të fundit.

“Nuk kemi prova se ndonjë qeveri e huaj ja doli mbanë të ndryshojë votën, por rreziku është real”, deklaroi zoti Rosenstein.

Ndërkaq, kritikët e administratës fajësojnë Presidentin Trump për faktin që nuk krijoi një task force të posaçme, apo që nuk emëroi një drejtor të sigurisë kibernetike. Analistja Elaine Kamarck flet për rreziqet që sjell mosveprimi...

“...Do të na kontrollonte Rusia. Duke patur njerëz të cilët, me apo pa ndërgjegje, i janë mirënjohës një fuqie të huaj që nuk beson tek demokracia”, thotë ajo.

Presidenti Trump thotë se administrata e tij po bën gjithçka të mundshme për të parandaluar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet që vijnë. Kanë mbetur, megjithatë vetëm 100 ditë për të ndërtuar strategjitë për këtë qëllim./VOA

EMISIONET