Stoltenberg në Maqedoninë e Veriut: Anëtarësimi në NATO do rrisë sigurinë

Stoltenberg në Maqedoninë e Veriut: Anëtarësimi në NATO

Maqedonia e Veriut së shpejti do të jetë anëtari i 30-të i NATO-s falë kurajës dhe vizionit të lidershipit të Shkupit dhe Athinës për fqinjësi të mirë.

Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev në Shkup, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, theksoi të hënën se anëtarësimi do të rrisë sigurinë dhe prosperitetin në vend.

Stoltenberg inkurajoi vendin të vazhdojë reformat e nisura në kuadër të procesit të integrimit atlantik, ndërsa ftoi edhe vendet e rajonit, Kosovën dhe Serbinë, që të marrin shembull marrëveshjen historike të Prespës për të lënë pas të shkuarën e tyre konfliktuale.

Përkrah tij, kryeministri Zaev shprehu dëshirën që anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO të ndodhë simbolikisht në muajin dhjetor, kur kujtohet 70-vjetori i formimit të aleancës.

Deklaratat e dy zyrtarëve të lartë u bënë në vazhdën e vizitës dyditore të sekretarit Stoltenberg, pas mbledhjes së Këshillit vendimmarrës të Atlantikut Verior që diskutoi progresin e reformave por edhe situatën në rajon.

Protokolli paraprak për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO u miratua në muajin shkurt, kur Greqia dhe fqinji verior i dhanë fund përplasjeve dhjetëra vjeçare rreth emrit të Maqedonisë.

Dokumenti deri tani është ratifikuar nga 13 prej 29 shteteve anëtare në aleancën ushtarake, ndërsa anëtarësimi i plotë i vendit në NATO pritet të realizohet vitin e ardhshëm.

EMISIONET