Ende asnjë marrëveshje NATO-Rusi për Traktatin e Armëve Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi. Sekretari i NATO-s, Stoltenberg është shprehur pesimist për një zgjidhje, teksa prishja e paktit sipas ekspertëve perëndimorë, krijon shqetësime serioze për sigurinë në Europë.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Jens Stoltenberg, është shprehur se NATO dhe Rusia nuk kanë mundur të dakortësohen për të shpëtuar Traktatin e Armëve Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi.

Bisedimet që u zhvilluan të premten në selinë e aleancës u përmbyllën pa shënuar asnjë përparim.

"Nuk kemi parë ndonjë shenjë për ndryshim", u tha Stoltenberg gazetarëve pas takimit që u mbajt me dyer të mbyllura.

Stoltenberg tha se shanset për një zgjidhje "po shuheshin çdo ditë", por ai shtoi se aleanca nuk kishte hequr dorë nga përpjekja për të bindur Moskën për të shkatërruar raketat tokësore SSC-8, të cilat mund të përshkruajnë një largësi përtej kufirit që parashikon traktati.

Dy ditë më parë, presidenti Vladimir Putin nënshkroi ligjin që pezullon pjesëmarrjen e vendit në traktatin mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, të vitit 1987.

Moska thotë se i është përmbajtur plotësisht traktatit të negociuar nga Presidenti i SHBA-së Ronald Reagan dhe udhëheqësi i sovjetik Gorbaçov.

Shtetet e Bashkuara pritet të tërhiqen nga marrëveshja me Rusinë më 2 gusht pasi kanë akuzuar Rusinë se ka dislokuar një sistem raketash që bie ndesh me paktin.

Prishja e marrëveshjes krijon shqetësime serioze, sipas ekspertëve perëndimorë, pasi raketat me rreze të mesme veprimi do t’i krijonin mundësinë Rusinë që të niste një sulm bërthamor në Evropë brenda një kohe të shkurtër.

/Ora News.tv/