Statusi i minatorit, Xhaçka në Klos: Drafti përfundimtar do t’i kthehet konsultimeve

Statusi i minatorit do të ketë një zgjidhje përfundimtare. Garancinë e dha ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka nga turi llogaridhënës në bashkinë e Klosit. Sipas Xhaçkës, drafti është duke u shqyrtuar dhe së shpejti do ti nënshtrohet konsultimeve publike.
Xhaçka: Çështja e statusit të minatorit nuk ka patur asnjëherë mungesë vullneti nga ana jonë. Kemi qenë gjithmonë ne që e kemi adresuar problematikën e minatorëve si kategori. Sot kjo çështje ka hyrë në rrugë të mbarë. Po diskutohet, po shqyrtohet dhe shumë shpejt do të dalim me një draft që sërish do t’i hyjë një konsultimi publik për të marrë edhe dakordësinë tuaj.
Sqarime më të detajruara në lidhje me draftin dha edhe zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Artan Shkreli edhe ky i pranishëm në takim
Shkreli: Në këtë moment që flas unë, drafti përfundimtar ka ardhur në ministrinë tonë dhe në Ministrinë e Financave. Presim një “OK” nga nga Ministria e Financave, një akordim ligjor me Ministrinë e Drejtësisë. Kryeministri e kërkon me ngulm këtë, pasi kjo i kërkohet në të gjitha llogaridhëniet në veri. Nuk duam të përsëritet me minatorët historia e naftëtarëve. Është çështje javësh.
Në takimet e zhvilluara në njësitë administrative Gurrë e Suç të qarkut të Dibrës banorët kanë shprehur për aksin Milot-Burrel-Klos-Peshkopi, për të cilin zv.ministri Shkreli u shpreh se do të ketë një rehabilitim të kësaj rruge deri sa të bashkohet me rrugën e Arbrit.