Spitalet dhe urgjencat kombëtare shëndetësore do të jenë në gatishmëri 24 orë në ditët e festave me personel të shtuar. 

Pas takimit me mjekët e Spitalit të Traumës, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu përpos gatishmërisë së shtuar në gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore do të ketë edhe personel që do presë telefonatat e urgjencës.

Ogerta Manastirliu: “Kemi përforcuar ekipet mjekësore dhe infermierore por gjithashtu edhe një listë të mjekëve që janë on call për raste specifike të trajtimeve të ndryshme që mund të kërkohen”.

Në të gjitha qytetet e Shqipërisë, në sheshet ku do festohet ndërrimi i viteve do të vendosen autoambulanca nga ora 19:00 deri në përfundim të festës.

Ogerta Manastirliu: “Aty ku do të ketë festa, në të gjitha qytetet do ketë mbështetje dyfishe me autoambulanca dhe ekipet mjekësore. Gjithashtu ekipe dhe stafe të urgjencës kombëtare do të jenë në gatishmëri për çdo emergjencë apo urgjencë që mund të ketë.”

Sipas urdhrit të Ministres Manastirliu, masat e përforcuara do të zbatohen nga të gjitha ekipet mjekësore në datat 31 dhjetor, 1, 2, 3 janar 2019, për t’iu përgjigjur të gjitha thirrjeve  të qytetarëve.

/Ora News.tv/