Soreca apel të rinjve: Ikni, por kthehuni! Shqipëria ka nevojë për ju!
Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca kishte një apel për të gjithë fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë të cilët përballen me vështirësi financiare për të vijuar shkollën pavarësisht dëshirës dhe vullnetit.
Në aktivitetin e organizuar sot në Burrel me rastin e ditës Ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, Soreca u sugjeroi të gjithëve të mos hezitojnë por të studiojnë mirë të drejtat e tyre dhe mundësitë që ata kanë për të studiuar jashtë. Por në fund nuk duhet të harrojnë të kthehen sepse se Shqipëria është atdheu i tyre. Ajo ka nevojë për ata aq sa ata kanë nevojë për Shqipërinë.
Luigi Soreca: Ju duhet të dini që në çdo bashki të vendit ka një kënd të BE-së. Vizitova me kryetarin e bashkisë tuaj këndin e BE-së këtu dhe ishte një kënd vërtet i këndshëm. Prandaj mos hezitoni për çfarëdolloj pyetje që keni. Duhet të shkoni tek këndi i BE-së për të pyetur se cilat janë të drejtat tuaja sipas legjislacionit të BE-së dhe atij shqiptar.
Qysh prej 2010 ju mund të udhëtoni në BE pa viza. Ju mund të përdorni programe si Erasmus+ të studioni në vende të ndryshme të BE.
Dhe unë e kuptova nga videot që ne pamë që ju keni dëshirë të studioni jashtë në universitete të ndryshme në BE. Natyrisht kjo është një ndjesi mëse e natyrshme për të gjithë ne. Por ju lutem pasi të keni mësuar të gjitha ato gjëra që ju duhet të mësoni kthehuni në Shqipëri.
Sepse Shqipëria është vendi juaj dhe vendi juaj është në Shqipëri. Shumë kanë shkuar jashtë dhe janë kthyer në Shqipëri dhe ju që jeni kthyer po e bëni Shqipërinë më të mirë. Kurrë mos harroni se Shqipëria është atdheu juaj. Ajo ka nevojë për ju aq sa keni dhe ju nevojë për Shqipërinë."
Aktiviteti u organizua me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, UNICEF, Terre des Hommes, Save the Children dhe World Vision