Socialistët kërkojnë reklama falas dhe fushatë me kaseta të gatshme

Socialistët kërkojnë reklama falas dhe fushatë me kaseta

PS në draftin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor propozon që të detyrojë me ligj televizionet private kombëtare, vendore apo satelitore që të transmetojnë falas reklamat politike gjatë fushatës zgjedhore.

Për drejtuesit e televizioneve private Mentor Kikia dhe Enton Abilekaj, nisma e socialistëve tregon qartë dëshirën e mazhorancës për ta kontrolluar median dhe për të cënuar shfrytëzimin e frekuencave kombëtare.

Abilekaj: Ato nuk mund të shfrytëzohen për partitë politike, pushtimi i gjithçkaje nga partitë politike është një skandal.

Kikia: Partitë duhet të vendosin një orë e më parë të bëjnë transparencën e financimeve të tyre dhe më pas të kërkojnë favore nga mediat.

Një tjetër pikë në draftin e PS-së që prek pavarësinë e medias është edhe ligjërimi i “kasetave”.

Gazetarët nuk do të monitorojnë fushatën elektorale pasi socialistët mendojnë se  televizioneve duhet të vijojnë t’u serviren materiale të gatshme nga partitë politike për në edicionet informative.

Por kjo për Kikinë dhe Abilekaj është e papranueshme në një demokraci ku raportimi është i lirë.

Abilekaj: Nuk mund ta pranojë media që të bëhet vetëm një ekran bosh që pritet të fut kasetën secila parti.

Kikia: Ligjërimi i një praktike të tillë do të ishte tmerrësisht i dëmshëm, cënon pavarësinë e të bërit gazetari dhe cënon mbi të gjitha profesionalizimin e gazetarit.

Dy gazetarët i bëjnë thirrje përfaqësuesve të gjitha mediave në vend që të bashkohen për të mos lejuar që qeveria ta kthejë pushtetin e katërt në një monopol të vetin.

Propozimi i PS-së vjen një vit  pas marrëveshjes së18 majit Rama-Basha, të cilët ranë dakord të detyrojnë mediat të transmetojnë pa pagesë reklamat e partive.

EMISIONET