Si u arratis bosi mafioz turk nga Shqipëria në vitin 2011

Abdulselam Turgut nuk është emër i panjohur për drejtësinë shqiptare.

Ndërkohë sot nga drejtori i policisë së shtetit Ardi Veliu u mësua se drejtuesi i celulës operative terroriste që vepronte në Shqipëri, Malek Zadeh prej dy vitesh punonte me Turgut për të planifikuar sulme terroriste me urdhër të PEYMAN-it dhe të Forcave QUDS. 

"Ai ka lidhje të vjetra me krimin e organizuar në Shqipëri" deklaroi Veliu.

Turgut  i njohur si një bos mafioz turk dhe kreu i një rrjeti të fuqishëm ndërkombëtar të trafikut të drogës ishte burgosur së fundmi në Azerbajxhan dhe në Turqi me akuza për trafik droge.  Ndërsa aktualisht është liruar nga një burg në Turqi në fund të vitit 2018. 

Për drejtësinë shqiptare u bë i njohur në vitin 2011 kur u arrestua pasi dyshohej se kishte lidhje me trafikimin e dyshuar të rreth 1 ton heroinë.

Bosi mafioz turk u vu në pranga më 18 shkurt të 2011 në aeroportin e Rinasit për llogari të drejtësisë gjermane.

Por ai doli nga burgu pas një vendimi të Gjykatës së Apelit. Apeli ndryshoi masën nga “arrest me burg” të dhënë nga Gjykata e Tiranës në masën “Arrest shtëpie”.

Turgut pas daljes nga paraurigmi u zhduk nga banesa dhe u arratis duke përdorur një pasaportë false. Ne raportimet e atëhershme në media thuhej se turku kishte përdorur disa linja për dërgimin e heroinës në vendet perëndimore. 

"Pikënisja e të gjitha linjave ishte Truqia dhe më pas niste në të ashtuquajturën “linja e Ballkanit”. Droga paketohej dhe përpunohej në Turqi, nisej drejt Greqisë dhe më pas nëpërmjet Shqipërisë përfundonte në Itali. Ndërkohë, linja e “qendrës” nisej sërish nga Turqia, shkon në Bullgari, Maqedoni, Serbi, Mali i Zi, Bosnja, Kroaci, Slloveni dhe përfundon sërish në Itali ose Austri.  Ndërsa linja e “veriut” nisej nga Turqia, kalonte në Bullgari e Rumani për të përfunduar në Austri, Hungari, Çeki, Poloni dhe përfundon në destinacion në Gjermani." 

Sipas shtypit turk të asaj kohe (2011), Abdulselam Turgut është mes pesë emrave të tjerë, ku ka edhe shtetas shqiptarë, që janë nën hetim pasi sipas shtypit turk kishin bërë plane të fusnin një ngarkesë heroine edhe në Shqipëri, nëpërmjet një mjeti të ngarkuar me patate. Por ky plan ka dështuar pas arrestimit të një futbollisti, i cili u kap me 30 kilogramë heroinë.


EMISIONET