Një kompani në Gelen lehtësonte krijimin e plantacioneve të kanabisit nga një rrjet trafikantësh shqiptarë droge në Limbug në një shkallë të gjerë.

Policia e Holandeze përfundoi një aksion në shkallë të gjerë të hënën, ku në pranga ra një 34-vjeçar shqiptar, shkroi media holandeze De Limburger në artikullin e saj.

Por si funksionuan rrjetet kriminale shqiptare?

Në vitin 2016, një agjent zbuloi rastësisht një plantacion kanabisi në një shtëpi në Heerlen. Ai zbuloi se qiraja e pronës nuk paguhej nga rezidenti shqiptar, por nga një kompani.

Kjo kompani, e cila ndër të tjera nxjerr targa një ditore dhe i eksporton, ka bazën në Geleen dhe rajonet kufitare në Gjermani e Belgjikë.

Tre drejtuesit e kompanisë, nga Maroku e Belgjika, u arrestuan të hënën gjatë një aksioni policor ku morën pjesë 200 oficerë policie. Gjithashtu në pranga ra edhe një 34-vjeçar shqiptar, shkruan media holandeze De Limburger.

Ata dyshohet se përdornin mjete identifikimi të rreme, lehtësonin kultivimin e kanabisit dhe pastronin para.

Policia gjatë aksionit bastisi gjithsej 22 ndërtesa.

Roli i kompanisë dhe shqiptarit- Sipas policisë, kompania, e vendosur në Groenstraat në Geleen, ishte çelësi sepse lehtësonte kultivimin e kanabisit në një shkallë të gjerë.

Ajo paguante qiranë, ujin dhe energjinë elektrike për banesat ku kultivohej droga në Limburg, kryesisht në Sittard-Geleen.

34-vjeçari shqiptar mendohet se drejtonte rrjetin e drogës të mbizotëruar nga shqiptarët.

Dokumenta të rreme - Sipas hetuesve shqiptarët përdornin pasaporta të falsifikuara italiane dhe greke. Si edhe kishin marrë leje qëndrimi në vend. Dedektivi Ralf * nga Limburg tregoi sesi asnjë nuk arriti tek rrjeti shqiptar i drogës që ishte përhapur në shkallë të gjerë në Sittard-Geleen, raporton De Limburger.

Policia kishte goditur disa plantacione me kanabis gjatë viteve të fundit, por për një kohë të gjatë ata nuk e kuptuan se ato po lehtësoheshin nga një kompani me bazë në Geelen që prej vitit 2014.

"Ne shkatërruam plantacione, por nuk hetuam. Nuk kishte kohë dhe kapacitet për këtë,"-tha Ralf.

Të dhënat - Operacioni i quajtur ‘Basalt’ nisi në fund të vitit 2018, dy vjet pas zbulimit aksidental nga oficeri i policisë. Ekipi hetimor zbuloi një të dhënë: Kompania kishte financuar në total 87 prona. Të martën policia bastisi 22 prej tyre.

Përdoruesit e këtyre vendeve ishin pothuajse të gjithë me shtetësi shqiptare, por përdornin dokumente të rreme identiteti. Policia dyshon se kompania ishte në dijeni të identiteteve të rreme. Mbetet e paqartë se kush i nxirrte dokumentet. Detektivët thonë se falë kompanisë, shqiptarët mbetën nën radarin e policisë.

 “Kompania po ashtu kishte një shërbim pagese për shqiptarët, që nuk kishin llogari zyrtare në bankë. Ata nuk kishin leje për këtë shërbim pagesash. Por u deshën vite që banka të vinte re se shërbimi i pagesave ishte i parregullt,”-tha Ralf.

Transaksionet - Një pjesë e 87 pronave janë blerë nga shqiptarët, ndonjëherë pa hipotekë.

“Shuma paguhej direkt nga Shqipëria. Sipas ligjit, transaksionet e pazakonta duhet të raportohen tek qeveria, në Njësinë e Inteligjencës Financiare. Por hetimi tregoi se kjo nuk ndodh në shumicën e rasteve. Vetëm me një nga dhjetë noterë,”-tregoi detektivi.

Diçka interesante ndodhi me shtëpitë që u blenë me garanci hipotekare.

“Blerësit në shumë raste kishin marrë deklarata nga punëdhënës prej restoranteve greke,"-shtoi ai.

Policia ende nuk ka informacione se cili është roli i tyre. Pronat me qira u morën përmes dokumenteve të falsifikuara të identitetit. Asnjë prej pronarëve të këtyre ndërtesave nuk u alarmua kur kompania Geleen e pagoi qiranë si ndërmjetës.

Konkluzionet shqetësuese - Konkluzioni i hetuesve është shqetësues: Kambanat e alarmit nuk ranë askund. Kompanitë e energjisë nuk kontrolluan nëse klientët jetonin në adresat specifike, bashkia nuk kontrolloi nëse kishte njerëz që jetonin në banesat e regjistruara si ‘të pabanueshme’. 

Noterët dhe bankat nuk raportuan për transaksione të pazakonta, policia nuk shkoi më larg se plantacionet. Po ashtu është e habitshme që as shkollat në Sittard-Gelee, ku shkonin fëmijët e paregjistruar të shqiptarëve, nuk e kishin kuptuar se adresat e ofruara ishin të rreme.

Ata nuk u surprizuan as kur pagesat e shkollës vinin nga kompania në Geleen, thotë Ralf.

“Ky hetim tregon se ne jemi naivë, ky tip kriminaliteti mbeti i padukshëm prej vitesh,”-shtoi ai.

Në gati gjashtë muaj që pas nisjes së operacionit Basalt, 10 plantacione kanabisi u shkatërruan, raporton De Limburger.

Hetuesit thanë se kjo nuk e pengoi kompaninë të vazhdonte me aktivitetet.

"E shohin atë si 'rrezik të biznesit'. Mesatarisht një e korrur kanabisi jep dhjetëra mijëra euro. Një kilogram me kanabis kushton rreth 4 mijë euro dhe plantacioni përmban qindra bimë. Ka dhjetëra prona. Ata e pranojnë se një korrje mund të dështojë. Dhe personi i arrestuar zëvendësohet,"-tha detektivi.

Tekst mësimor - Prokurori Peter Huttenhuis thotë se ky rrjet është tamam si një tekst mësimor për hetuesit.

“Ata abuzojnë me shtetin tonë të mirëqenies sociale. Ky problem nuk zgjidhet brenda një jave,”-shtoi prokurori.

Ndërsa Ralf tha: “Grupet kriminale shqiptare kanë fituar një pikëmbështetje këtu. Një përbindësh në shumë drejtime. Mund t’ia presësh kokën, por për çdo 20 persona të arrestuar, vijnë 25 të tjerë në këmbim. Diçka duhet të ndryshojë në mënyrë strukturore. Duhet të sigurohemi që të bien zilet e alarmit”.


/Ora News.tv/