Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin asnjë parti në Kosovë

Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin asnjë parti në Kosovë

Ambasada amerikane në Prishtinë theksoi të martën se nuk mbështetë asnjë parti politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë.

Në një njoftim të kësaj ambasade theksohet se "qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk mbështetë ndonjë parti politike apo kandidat në zgjedhjet e kësaj jave. Ne respektojmë të drejtën dhe përgjegjësinë e votuesve të Kosovës që të zgjedhin të ardhmen e tyre”, thuhet në njoftim.

Reagimi duket se ndërlidhej me praninë në Kosovë të zotit Matthew Whitaker ish Prokuror i Përgjithshëm në detyrë i Shteteve të Bashkuara që nga nëntori i vitit 2018 deri në shkurt të këtij viti. Zoti Whitaker qe emëruar pas dorëheqjes së ish Prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions.

Ai u paraqit në mbështetje të Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryetarit të saj Kadri Veseli.

Qëndrimit të ambasadës amerikane i bëri jehonë edhe ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt. Në një postim në rrjetet sociale ai shkroi se "disave u duket e vështirë të besojnë se ne i qëndrojmë parapa kuptimit se si funksionon demokracia. Faleminderit ambasadës se Shteteve të Bashkuara që rikujtuan atë që e thamë bashkërisht një muaj më parë. Ia vlen të lexohet”, shkroi ai.

Diplomatët rikujtuan një thirrje të lëshuar më 30 gusht në të cilën kishin bërë thirrje që partitë politike në Kosovë të krijojnë një mjedis të qetë e të sigurt për zgjedhjet e 6 tetorit, ndërsa qytetarëve që të refuzojnë siç thuhet kriminelët me votën e tyre./VOA/

EMISIONET