Shqiptari i parë me Covid-19 në Itali flet për infektimin dhe mjekimin e tij

Shqiptari i parë me Covid-19 në Itali flet për infektimin dhe

Emisioni investigativ "Le Iene", mediat e njohura italiane si e përditshmja "Il Giorno" apo dhe mediat lokale në rajonin e Lombardisë kanë përcjellë historinë e të riut shqiptar 18 vjeçar Xhoni Mustafaraj, i cili sipas tyre është infektuar nga COVID 19 shumë ditë para se në Itali të konfirmohej zyrtarisht rasti i italianit të parë.

Xhoni është djali i një familje emigrantësh shqiptarë që prej shumë vitesh jeton në provincën e Lodit në Lombardi në komunën San Martino in Strada.

Eskskluzivisht për RTV Ora, i riu shqiptar ka rrëfyer historinë e tij.

Alba Kepi: ''Xhoni ti jeton në provincën e Lodit, zona e vatrës së parë të shpërthimit të koronavirusit, dhe mediat italiane kanë rrëfyer historinë tënde si një dëshmi se pandemia mund të kishte shpërthyer shumë ditë më parë se të konfirmohej rasti i Matias, i konsideruar deri më sot pacienti 1 italian i infektuar. Çfarë ka ndodhur? Ti ke qënë i infektuar nga Covid?''

Xhoni Mustafaraj: ''Gjithçka ka nisur ditën e shtunë datë 1 shkurt 2020. Unë luaj futboll e sapo kisha mbaruar ndeshjen e kampionatit. Isha thirrur në shtëpinë e mikut tim të ngushtë për të kaluar mbrëmjen dhe u nisa menjëherë pas ndeshjes. Por kur mbërrita aty nuk munda të zbrisja nga makina. Nuk lëvizja dot. Prindërit e tij më ndihmuan e më shoqëruan deri brenda. Më pas më matën temperaturën e cila ishte tek 38 e gjysëm që më pas nisi të rritej. Më shoqëruan në shtëpinë time por gjëndja u keqësua, nuk merrja dot frymë, kisha temperaturë të lartë dhe ndihesha mjaft keq, Prindërit lajmëruan urgjencën e cila më dërgoi në spital. 

''Pas kryerjes së analizave të gjitha të dhënat dolën mjaft keq. Gjaku ishte si i helmuar, rruazat e bardha ishin në një vlerë mjaft të lartë, fibrat muskolare ishin dëmtuar. Më shtruan urgjentisht në repartin e terapisë intesive dhe gjëndja u përkeqësua, por në ato ditë askush nuk fliste për koronavirus, në Itali e nuk njihej. Nisën të më bënin dializë për të më ndryshuar gjakun, më vunë kaskën në kokë e pata probleme dhe me mëlçinë.''

Alba Kepi: ''Po para kësaj dite kishe pasur simpotma të tjera?''

Xhoni Mustafaraj: ''Një ditë para se të shtrohesha në spital, pra të premten pata temperaturë të lartë por që kaloi.''

Alba Kepi: ''Po mjekët çfarë të thanë? Si e shpjegonin që papritur u ndjeve keq?''

Xhoni Mustafaraj: ''Mjekët menduan se ishte një problem me celulat muskulare dhe kjo shkaktohej kur trupi goditej nga një virus. Mjekët më mbajtën për 2 javë në repartin e terapisë intesive dhe më kuruan mirë. Por nuk dinin shkaqet pse mu shkaktua kjo sëmundje. Më bënë të gjitha analizat e mundshme por që nuk mundën të gjenin shpjegim. Dola nga spitali i Lodit më datë 26 shkurt, kur virusi kishte vetëm 4-5 ditë që kishte nisur të përhapej si lajm.''

Alba Kepi: ''Të bënë të gjitha analizat por jo tamponin?''

Xhoni Mustafaraj: ''Jo tamponin nuk ma bënë por më kuruan mirë.''

Alba Kepi: ''Po ku të erdhi dyshimi se ke kaluar Covid 19?''

Xhoni Mustafaraj: ''Pasi shpërtheu pandemia dhe u shpërndanë informacionet mbi simptomat e koronavirusit, ishte nëna ime që pati shumë dyshime se kisha qënë i infektuar. Simptomat ishin të njëjta, temperaturë e lartë, vështirësi në frymëmarrje. Nëna më dërgoi të bëja testimin serologjik dhe rezultati shfaqi se isha negativ por që trupi im kishte zhvilluar antikorpet e koronavirusit që dëshmonte se kam qënë i infektuar. Pra të gjitha problemet shëndetësore që kalova ishin shkaktuar nga virusi dhe kisha luajtur me jetën.''

Alba Kepi: ''Po në skuadrën ku luaje a pati raste të tjera personash të infektuar?''

Xhoni Mustafaraj: ''Jo në skuadër, jo shokët e skuadrës jo, por mjeku i ekipit u infektua nga koronavirusi dhe për fat të keq pas gati një muaj sëmundje mbeti viktimë. Ishte rreth 60 vjeç. Babai im gjithashtu u infektua dhe pati të njëjtat simptoma. Ndodhi në fillim të muajit mars, pasi kur unë isha i sëmurë ai qëndroi çdo ditë me mua në spital. Babai pati temepraturë të lartë, kollë, vështirësi në frymëmarrje, dhe telefonuam shumë herë shërbimin shëndetësor, por qenë ditë të komplikuara e të gjitha spitalet ishin të zënë. Mjekët këshillonin të kurohej në shtëpi dhe për fat pas 2 javësh pa lëvizur nga shtrati ai u shërua.''

Alba Kepi: ''Kur qënë ditët më të vështira që kalove?''

Xhoni Mustafaraj: ''Ishin ditët kur u shtrova në repartin e terapisë intensive edhe pse nuk kam kujtime të qarta. Ambienti aty ishte shumë i rëndë, ishte si vendi i mundësisë të fundit që të jepet, shihje të vdisnin të sëmurët që ishin shtruar pranë teje. Nuk arrija të flija natën pasi kishte gjithnjë shumë lëvizje por një natë që më kishte zënë gjumi u zgjova pasi një vogëlush ndërroi jetë se vuante nga një sëmundje e rëndë dhe më zgjuan thirrjet e nënës që qante. Qe një moment i vështirë që se harroj.''

Alba Kepi: ''Xhoni por tani si ndjehesh, a e ke marrë veten?''

Xhoni Mustafaraj: ''Tani jam mirë, humba shumë kilogramë në peshë por që po i rekuperoj, po ha shumë. Për fat psikologjikisht nuk më rëndoi sepse vetëm pasi u shërova mora vesh se kisha qënë i infektuar. Tani jam imun nga virusi dhe jam i kënaqur se dola nga spitali pa e ditur as mjekët se kisha kaluar virusin. E falenderoj zotin që gjithçka kaloi mirë. Ndoshta më ndihmoi dhe fakti se jam një sportist me një trup përherë në stërvitje.''

Alba Kepi: ''Ke nisur të stërvitesh? Pra je kthyer në normalitetin tënd të dikurshëm?''

Xhoni Mustafaraj: ''Po tani stërvitem në shtëpi, po rifitoj kilet e humbura.''

Alba Kepi: ''Po si është situata tani në Lodi? Pak orë më parë dhe Presidenti i Republikës vizitoi territorin, erdhi në Codogno.''

Xhoni Mustafaraj: ''Po për fat situata po shkon mjaft mirë dhe në Lodi të infektuarit në orët e fundit ishin 0. Virusi duket se po shuhet, njerëzit kanë nisur të dalin e të kenë më pak frikë. Kemi nisur të takohemi me shokët.''

Alba Kepi: ''Të uroj të kthehesh sa më shpejt të realizosh ëndrrën tënde për tu bërë futbollist dhe herë tjetër të kemi vetëm lajme të mira nga shqiptarët në Lodi. Faleminderit.''

EMISIONET