Shqipëria hapa pas në "PISA", por përmirësohen njohuritë e nxënësve në matematikë

Shqipëria hapa pas në "PISA", por përmirësohen

Nxënësit e shkollave të mesme shqiptare nuk po arrijnë të avancojnë në renditjen globale, duke e bërë të nevojshme ndërmarrjen e reformave të reja në arsim. Shqipëria listohet e 61-ta nga afro 80 vendet e marra në studim në vitin 2018.

Niveli i arsimit shqiptar sërish është vlerësuar mesatar apo i dobët në renditjen ndërkombëtare.

Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve i njohur si “PISA”, e liston Shqipërinë në vendin e 61-të nga 79 të marrë në studim vitin e kaluar.

Krahasuar me testimin e vitit 2015, rezultati është përkeqësuar me 10 vende, megjithëse numri i shteteve të hulumtuara është më i lartë.

Testimi i OECD-së mat kapacitetet nxënëse të të rinjve 15-vjeçarë në disiplinat e leximit, matematikës dhe shkencave të natyrës dhe ndikon ndërmarrjen e reformave në arsim.

Në fushën e leximit, nxënësit shqiptarë u vlerësuan mesatarisht me 405 pikë apo njësoj sa tri vite më parë.

Në fushën e shkencave raportohet ulje me 10 pikë në 417 pikë, ndërsa trajektorja për disiplinën e matematikës është më pozitivja, duke u rritur nga 413 në 437 pikë.

Ky ndryshim çmohet edhe nga OECD-ja, sikundër avancimet në mësimdhënie dhe stimujt e autoriteteve shqiptare për të rritur shkallën e regjistrimit të nxënësve në shkollat e mesme.

Për rajonin e Ballkanit, Kroacia renditet më mirë në vendin e 29-të, Serbia e 45-ta, Mali i Zi i 52-ti, Maqedonia e 67-ta, ndërsa Kosova më e dobëta në vend 77 nga 79 në total.

Edhe këtë radhë, vendet aziatike si Kina dhe Singapori kryesojnë renditjen, të ndjekura nga Estonia si një nga shtetet europiane me sistemin e mesëm arsimor më të mirë në botë.

EMISIONET