Shkodër, 60 vjeçari gjendet i vrarë me plumb në kokë në punishten e tij

Një 60 vjeçar është gjetur i vrarë në punishten e tij në lagjen Tophanë të Shkodrës.

Mehdi Kavaja riparonte brava automjetesh. Fillimisht u mendua se vdekja kishte ardhur për shkaqe natyrale por pas hetimeve dhe ekspertizës mjekoligjore rezultoi se vdekja kishte ardhur si shkak i dhunës së ushtruar ndaj tij.

Gjithashtu është konstatuar një vrimë në kokë dhe pas autopsisë është gjetur dhe një plumb brenda.

Dyshohet se ekzekutimi mund të jetë bërë me pistoletë me silenciator, pasi nuk janë dëgjuar të shtëna. 

Kanë qenë familjarët e tij që kanë gjetur 60 vjeçarin të pa jetë në punishten e tij dhe kanë njoftuar policinë e cila ka bërë transportimin e trupit me anë të ambulancës në spitalin e Shkodrës.

Mehdi Kavaja kishte vite që kishte punishten në lagjen Tophanë, ku kishte dhe shtëpinë por nuk njihej si person me konflikte.

Ende nuk ka një pistë rreth shkaqeve të kësaj ngjarje ndërsa policia ka nisur hetimet. Po kërkohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë të subjekteve përreth, për të parë lëvizjet e ndodhura në zonë gjatë kohës kur mendohet se është kryer krimi.

Njoftimi i policisë

Më datë 18.06.2018, në ora 15:30, jemi njoftuar se në lagjen Salo Halili, Shkodër, në servisin e tij për automjete, është gjetur i vdekur shtetasi M. K. 60 vjeç, banues lagje “Salo Halili”, Shkodër. 

Nga veprimet e para hetimore, ka rezultuar se viktima ka një vrimë në kokë, por pritet akti i plotë i ekspertizës mjeko - ligjore për përcaktimin e llojit të dëmtimit. 

Në vendngjarje po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes nëse kemi të bëjmë me vrasje apo ngjarje aksidentale.

EMISIONET