“Shko, ndihmo Italinë dhe ktheu shëndosh e mirë”, telefonata prekëse e mjekes shqiptare me babain në karantinë

“Shko, ndihmo Italinë dhe ktheu shëndosh e mirë”,

Kur vendosi të largohej nga Tirana për në Itali, babai i saj ishte në karantinë. Përmes një telefonate në kamer, ajo ia komunikoi prindërve se do shkonte në një nga vendet më të prekura të botës nga koronavirusi, në Itali brenda dy ditësh.

Ornela Gelaj, 28 vjeç, doktoreshë e mjekësisë së brendshme në spitalin Nënë Tereza në Tiranë, nuk e mendoi dy herë kur dëgjoi për dërgimin e mjekëve vullnetarë në Itali. Më 29 Mars, së bashku me 29 vullnetarët e tjerë mjekë dhe infermierë, ajo zbarkoi në Fiumicino për t’i dhënë ndihmë "vendin më të bukur në botë", siç e quan ajo.

"Miqtë, kolegët dhe prindërit e dinin se ishte zgjedhja e duhur për mua, dashuria ime për Italinë dhe kulturën e saj ka qenë gjithmonë e jashtëzakonshme, të gjithë ne që kemi ardhur këtu, kemi një lidhje të veçantë emocionale me këtë tokë”, shprehet ajo.

Ornela tregon historinë e saj me sytë që i buzëqeshin në vend të gojës, të fshehur nga maska që ajo ka veshur me ditë të tëra. Përballë spitalit civil të Brescia ajo shprehet: "Këtu ka kolegë shumë të mirë dhe me përulësi kemi ardhur për të ofruar mbështetjen profesionale që u nevojitet tani, por jo vetëm. 

U ngjita në aeroplan duke menduar Ju nuk jeni vetëm, afërsia dhe ngrohtësia e njeriut për momentin janë thelbësore jo vetëm për pacientët, por edhe për të gjithë punonjësit e shëndetit që po i shoh të lodhur këto ditë ". 

Ornela është vajza e vetme, babai është një specialist i sëmundjes infektive, nëna e saj punon në pediatrinë e spitalit të Durrësit:

Unë i komunikova zgjedhjen time dy ditë para nisjes, nuk ka qenë e lehtë, por pastaj i kujtova atyre se kush isha, çfarë misioni jetësor kisha zgjedhur dhe sa e dua Italinë dhe ata e kuptuan. 

"Paç një udhëtim të mbarë dhe përpiquni të bëni mirë për Italinë, nëse mundeni kthehuni shëndoshë e mirë, më thanë ata para se të nisesha”, shprehet doktoresha.

Që në momentin që ka ardhur në Itali, Ornela thotë se nuk ka pasur kurrë frikë, ndjenja më e fortë që shpesh herë e sulmon është ajo e emocionit. “Sapo mbërrita në atë Romën e mrekullueshme që kisha njohur vite në parë, mu shfaq një heshtje dhe vuajtje. Në ato momente, emocioni më sulmoi dhe unë e kuptova edhe më shumë se sa e drejtë kishte qenë zgjedhja ime”, thotë ajo.

 Doktoresha Gelaj ka treguar edhe emocionet që ka pas 10 ditësh qëndrim në spitalin Brascia Civile.

"Kolegët e mi italianë me siguri kenë parë shumë më shumë vuajtje se unë javët e fundit, kanë një vullnet të shkëlqyeshëm për ta bërë atë pavarësisht gjithçkaje. Momenti më më i bukur është kur pacientët vijnë për të nënshkruar largimin e tyre. Por unë dëshmoj shkatërrimin emocional kur një mjek duhet të komunikojë me një djalë, nënë, motër se gjendja shëndetësore e të afërmit të tij nuk po shkon në drejtimin e duhur ose që ai mund të humbasë jetën, është e tmerrshme”.

Një shkatërrim emocional me të cilin sektori i punonjësve shëndetësorë po përballet tash e disa javë, kështu që ndihmat dhe mbështetjet psikologjike fillojnë të bëhen thelbësore.

"Ne e dimë se nuk mund të bëjmë shumë, jemi pak dhe aftësitë e mjekëve italianë janë të jashtëzakonshëm, nuk është qëllimi ynë të paraqesim veten si zgjidhës, por gjithashtu e dimë se edhe dy duar të tjera në një kohë krize si kjo mund të jenë shumë ngushëllim”, shprehet Ornela.

Ditët e fundit Brescia ka arritur të marrë frymë me një ulje të rasteve të reja, konstante dhe të përmbajtura. Këtë e pohon edhe doktoresha Gelaj.

“Këtu gjërat duket se do të shkojnë më mirë, por është e rëndësishme që të respektoni masat dhe të ndiqni këshillat. Unë çdo ditë kur flas me ndonjë pacient, shoh se ata duan të shërohen shpejt, të shkojnë përsëri për të ngrënë ëmbëlsirën e tyre të preferuar me familjen, për të buzëqeshur si gjithmonë, edhe në momentet më të errëta. Kjo për mua është madhështia e popullit tuaj ", përfundon doktoreshë Ornela Gelaj. /Marrë nga Corriere.it/

EMISIONET