Deri sa nuk ishte krijuar përfaqësuesja e Kosovës, zemrat e shqiptarëve përpos kombëtares shqiptare ishin dhe me djemtë shqiptarë në kombëtaren e Zvicrës.  Kjo jo vetëm për lojën e bukur dhe edhe për harmoninë e tyre si grup.

Por tashmë duket se ujërat mes tyre janë trazuar disi. Nëse flitet për karrierë dhe protagonizëm, patriotizmi bie.

Mesfushori ofensiv i helvetikëve, Xherdan Shaqiri refuzoi ti përgjigjej thirrjes së përfaqësueses për sfidat e këtij muaji me Irlandën dhe Gjibraltarin, e duket se motivi është shiriti që ndodhet në krahun e Granit Xhakës.

Por kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, në një prononcim për gazetarët lidhur me këtë çështje ka treguar gatishmërinë për të hequr dorë nga ky rol nëse kjo ka qenë arsyeja e mungesës së Shaqirit.

“Nëse ky është me të vërtetë problemi, atëherë ne mund të ulemi së bashku në një tryezë. Jemi aq të rritur sa të flasim për të. Shaqiri mund të ketë shiritin e kapitenit. Për mua nuk ka rëndësi nëse e kam shiritin e kapitenit apo jo. Mundohem të kem impakt te ekipi me apo pa këtë shirit”, shprehet Granit Xhaka.

Arsyeja zyrtare e bojkotit të Shaqirit ishte fokusi te Liverpul, por kjo tezë ka rënë poshtë edhe për faktin se mesfushori po konsiderohet shumë pak te kampionët e Europës.

Shaqiri është një vit më i madh se Xhaka dhe ka 82 përfaqësime me kombëtaren e Zvicrës në krahasim me 77 që ka lojtari i Arsenalit.

Pas dëmtimit të tij gjatë verës, paraqitjet e tij të vetme për Liverpool këtë sezon ishin në dy ndeshjet e "Community Shield" kundër Manchester City dhe fitoren e fundjavës së kaluar 3-0 ndaj Burnley.

Zvicra përballet me Gjibraltarin në kualifikimin e tyre të ardhshëm për Euro 2020 në Sion të dielën.

/Ora News.tv/