Shënohet viktima e parë nga koronavirusi në Kosovë. Ai ishte një pacient 82-vjeçar që kishte edhe sëmundje të tjera kronike. Ndërkohë rastet e infektimit me koronavirusin e ri në vend u ngjitën në 31. Vetëm gjatë të shtunës Kosova konfirmoi 7 të infektuar të rinj. 

Në Kosovë u konfirmua të dielën viktima e parë nga koronavirusi. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njoftoi se viktima është një pacient 82 vjeç nga Dumnica e Podujevës.

“Pacienti është pranuar në Klinikën Infektive më 16 mars me shenja të infiltrimit pulmonar dhe pneumonisë masive,” thuhet në një njoftim që shton se pacienti ka pasur edhe sëmundje të tjera kronike.

Në gjendjen e krijuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka kërkuar nga kryeministri, Albin Kurti, që t'i propozojë Qeverisë masa shtesë në kuadër të gjendjes emergjente me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik.

Sipas tij, këto masa do të diskutohen edhe me ministritë e linjave, ndërsa qytetarëve iu bëhet thirrje që të zbatojnë të gjitha masat e reja.

Ndërkohë numri i të infektuarve në vend me koronavirusin e ri u rrit në 31, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Vetëm gjatë të shtunës Kosova ka konfirmuar 7 të infektuar të rinj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ripërsëriti nevojën e shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme.

Ndërsa i shprehu ngushëllime familjes së viktimës së parë. Thaçi tha se qytetarët duhet të zbatojnë masat e vendosura dhe të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të mos përhapet virusi.

/Ora News.tv/