Humb jetën doktor Shkjau, viktima e dytë nga Covid-19 nga rradhët e mjekësisë

Humb jetën doktor Shkjau, viktima e dytë nga Covid-19 nga rradhët

Shënohet viktima e dytë nga Covid-19 në rradhët e bluzave të bardha në vend.

Ministria e Shëndetësisë njofton me hidhërim të thellë ndarjen nga jeta këtë mëngjes (6 korrik) të dr. Hysni Shkjaut, i cili nuk e fitoi dot betejën me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të stafit të infektivit për kolegun e tyre.

Dr. Hysni Shkjau, 69-vjeçar, me 40 vite eksperiencë, nuk e kishte ndërprerë punën dhe vijonte të shërbente si mjek familje në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës.

Luftonte prej disa ditësh me COVID19 në spitalin infektiv dhe gjendja e tij u rëndua si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe disa sëmundjeve bashkëshoqëruese.

Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime famljarëve, miqve dhe kolegëve. Është një humbje e madhe për sistemin shëndetësor, humbja e një mjeku që i ka shërbyer me përkushtim e profesionalizëm për 40 vite komunitetit të tij.

Ministria e Shëndetësisë i rikujton qytetarëve të mos e ulin vëmendjen për zbatimin e rregullave, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm që prek këdo, pa dallim!

Dr. Arjan Pushi ishte viktima e parë në radhët e bluzave të bardha në vendin tonë që prej shfaqjes së koronavirusit.

Prof. Arjan Pushi ka patur një karrierë të spikatur në fushën e hematologjisë dhe ka përgatitur shumë breza studentësh të Mjekësisë.

EMISIONET