“Shengeni Ballkanik” pa Kosovën është i pakuptimtë për kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin “360 Gradë”, me Artur Zhejin, në RTV Ora, Haradinaj tha se të dy vendet fitojnë peshë dhe bëhen më të forta kur veprojnë të sinkronizuara.

Pjesë nga intervista: 

Ramush Haradinaj: Nuk mendoj se është mirë për shtetin shqiptar të ulet në tavolinë me dy fqinjë të Kosovës, pa qenë Kosova aty. Mendoj se është gabim i cilit do udhëheqës shqiptar që ulet me dy fqinjë të Kosovës në këtë rast Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Kosova nuk është aty për shkak sepse nuk është bilaterale. Nëse Shqipëria zhvillon çfarëdo marrëdhënie bilaterale, mund ta arsyetonte, mund ta shpjegonte. Duhet të ndihet interesi i Kosovës çdo herë, por kur ka më shumë se bilaterale, multilaterale dhe nuk është Kosova, nuk ka logjikë të shkojë shteti shqiptar. Ju e dini që Serbia i bojkoton plot takime kur është Kosova, rajonale dhe të tjera. 

Artur Zheji: Vetëm pse është thirrur Kosova? 

Ramush Haradinaj: Po dhe për këtë arsye mendoj se edhe Shqipëria duhet ta bëjë të njëjtën gjë, pra mos të marrë pjesë. Por të shkosh në Serbi ku nikoqir është Vuçiç, që i prin një kompanie kaq kundër Kosovës dhe vazhdon intensivisht mendoj që është gabim. Fitojmë peshë kur kemi veprime të sinkronizuara Prishtinë-Tiranë, Kosovë-Shqipëri. Nëse Shqipëria flet në sinkronizim me Kosovën është më e fortë. Njëjtë është edhe Prishtina. Të dy vendet dobësohen kur veprojmë kështu ndarazi. Për këtë e thash që është gabim. Nuk është gabim vetëm për Kosovën, është gabim për fuqinë e Shqipërisë, sesa lehtë Shqipërinë e thërrasin në tavolinë pa i shkuar mendja që Shqipëria mund edhe të mos shkojë, nëse aty nuk është edhe Kosova. 


/Ora News.tv/