Në Shtetet e Bashkuara është arritur një marrëveshje për një projektligj që lehtëson impaktin ekonomik të pandemisë së koronavirusit. SHBA-ja është tani vendi i tretë në botë me mbi 55 mijë të infektuar, pas Kinës dhe Italisë.

Kongresi dhe qeveria amerikane kanë arritur marrëveshje për të injektuar 2 trilionë dollarë në ekonomi, për të shmangur recesionin e mundshëm që pandemia e koronavirusit pritet t'i sjellë vendit.

Marrëveshja parashikon 500 miliardë dollarë për korporatat e mëdha, mbi 600 miliardë dollarë kredi për bizneset e vogla, për spitalet dhe qeveritë lokale e qendrore, dhe një çek deri 1,200 dollarë për çdo amerikan që fiton deri 75 mijë dollarë në vit.

Paketa pritet të kalojë të mërkurën në Senat dhe më pas në Dhomën e Përfaqësuesve.

"Ky nivel investimesh është si për kohë lufte. Burrat dhe gratë e këtij kombi do ta mposhtin koronavirusin dhe do rivendikojnë të ardhmen tonë, ndërsa Senati do u sigurojë atyre municionin e nevojshëm," deklaroi shefi i senatorëve republikanë, Çak Shumër.

Pandemia e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara ka prekur mbi 55 mijë veta, ndërsa viktimat kanë arritur në 800, mes të cilëve edhe një fëmijë nën 18 vjeç.

Gjysma e të gjithë pacientëve raportohen në shtetin e Nju-Jorkut.

Për të ndalur përhapjen, për 15 ditë është urdhëruar mbyllja e bizneseve komerciale, qëndrimi i njerëzve brenda banesave dhe izolimi me fqinjët veriorë dhe jugorë si Kanadaja dhe Meksika.

Presidenti Donald Trump thotë se ai pret që kjo situatë të zgjatë deri në javën e dytë të prillit.

"Synimi është të lehtësojmë rregullat dhe të hapim sektorët më të mëdhenj të ekonomisë teksa përmbyllim betejën historike me armikun e padukshëm. Mendoj se kjo mund të ndodhë për Pashkët," theksoi shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Sipas OBSH-së, SHBA-ja rrezikon të kthehet në vatrën e re të pandemisë pas Europës.

Me gjithë optimizmin se mund ta kontrollojnë, autoritetet vendëse druhen se sistemi spitalor i vendit nuk do e përballonte fluksin e pacientëve.

Shteti i Nju-Jorkut, që raporton rreth gjysmën e rasteve me koronavirus, informon se nuk ka në gjendje pajisje respiratore për të gjithë pacientët dhe po i mbështet shpresat vetëm te vetëshërimi ose shfrytëzimi i medikamenteve ekzistuese.

Deri më tani në SHBA janë shënuar 785 viktima dhe 54,999 të infektuar me Covid-19.

Nga situata e rënduar, presidenti Trump i kërkoi urgjensitsht Koresë së Jugut komplete testimi për koronavirus.

/Ora News.tv/