SHBA: Marrëveshja Kosovë-Serbi është e mundur gjatë këtij viti

SHBA: Marrëveshja Kosovë-Serbi është e mundur gjatë

Zëvendës sekretari amerikan i Shtetit, David Hale, i tha të përditshmes serbe Danas, se nuk u takon Shteteve të Bashkuara që të “diktojnë përfundimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Zoti Hale i cili do të qëndrojë më 8 dhe 9 mars në Beograd dhe në Prishtinë për të nxitur te dyja palët që të ulen në tryezën e bisedimeve, tha se “ka mundësi që gjatë këtj viti të arrihet një marrëveshje, nëse fillojnë bisedimet. Është koha që të marrin fund provokimet nga të dyja palët: të pezullohen tarifat, që Beogradi dhe Prishtina t’u kthehen bisedimeve të drejtuara nga Bashkimi Evropian dhe që të dyja palët të jenë të përcaktuara për paqe”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë një “recetë për zgjidhjen që duhet të jetë e zbatueshme dhe t’i kontribuojë qëndrueshmërisë afatgjatë të rajonit”.

Zoti Hale pritet që këto qëndrime t’i diskutojë në Beograd dhe në Prishtinë. Në një njoftim të departamentit amerikan të shtetit, thuhet se “në Beograd ai do të bisedojë me zyrtarët serbë marrëdhëniet dypalëshe dhe do të nxis kthimin në tryezën e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ai do të diskutoje edhe me drejtuesit e shoqërisë civile për çështje rajonale e globale, përfshirë ndikimin rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimorë”.

Më pas më 9 mars në Prishtinë, ai do të takojë udhëheqësit e lartë të Kosovës “për të nënvizuar mundësinë historike për të arritur një marrëveshje të plotë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe për të kërkuar masa për të arritur një zgjidhje”.

Zoti Hale i cili më parë qëndron në Londër dhe në Ukrainë, është zyrtari më i lartë amerikan që kohët e fundit viziton Kosovën për të nxitur autoritetet që të hapin rrugën për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë, të cilat janë pezulluar për shkak të kushtëzimit të tyre nga Beogradi me pezullimin e tarifave ndaj mallrave serbe, që u vendosën nga qeveria e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.

Javën që lamë pas, dy zyrtarë të lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, qëndruan për dy ditë në Kosovë për të siguruar pezullimin e tarifave ndërsa paralajmëruan shtimin masave ndëshkuese nëse Kosova vazhdon të refuzojë kërkesat e tilla.

Kërkesat amerikanë kanë nxitur përplasje të brendshme në Kosovë ndërmjet atyre që ngulin këmbë të dëgjohen këshillat amerikane dhe atyre që pohojnë se tarifat duhet të pezullohen vetëm me garanci për përfundimin e bisedimeve me Serbinë me njohje të ndërsjellë./VOA/

EMISIONET