SHBA akuzon 36 veta për krim kibernetik, dy prej tyre nga Kosova

SHBA akuzon 36 veta për krim kibernetik, dy prej tyre nga Kosova

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se ka ngritur akuza kundër 36 personave, në mesin e tyre dy shqiptarë nga Kosova, të përfshirë në një skemë të mashtrimeve kibernetike dhe vjedhjeje identiteti që ka shkaktuar më shumë se 530 milionë dollarë humbje për konsumatorët, bizneset dhe institucionet financiare.

Rrjeti i krimit kibernetik që drejtonte një skemë të sofistikuar që lehtësonte blerjen dhe shitjen e numrave të Sigurimeve Shoqërore, ditëlindjet dhe fjalëkalimet që ishin vjedhur nga e gjithë bota.

Në akuzë thuhet se grupi punonte nën moton " In Fraud We Trust” (Në mashtrim besojmë - një lojë fjalësh me mbishkrimin në bankënotat e dollarit amerikan In God we trust) dhe ishte krijuar në vitin 2010 nga Svyatoslav Bondarenko, një 34 vjeçar nga Ukraina.

Autoritetet thanë se pjesa më e madhe e anëtarëve të grupit nuk ishin takuar kurrë mes vete ndërsa e njihnin njëri tjetrin me nofkat në internet.

Nga 36 të akuzuarit, zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë thanë se 13 janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara, Australi, Britaninë e Madhe, Francë, Itali, Kosovë dhe Serbi.

Të akuzuarit tjerë janë në arrati dhe hetimet janë duke vazhduar. Zëvendës ndihmës prokurori i përgjithshëm, David Rybicki, u tha gazetarëve se "dita e sotme shënon një hap të rëndësishëm në betejën kundër krimit kibernetik ndërkombëtarë".

Departamenti publikoi edhe listën e emrave të të akuzuarve ku janë edhe emrat e Besart Hoxhës 25 vjeçar që vepronte me nofkën “Pizza” dhe ai i Liridon Musliut 26 vjeçar, që vepronte me nofkat “Ccstore”, “Bowl” dhe “Hulk”.

EMISIONET