Për aktivistin Endri Shabani, Teatri Kombëtar kishte dy fatkeqësi.

Në studion e lajmeve me gazetaren Beti Njuma në RTV Ora, ai tha se fatkeqësia e parë e teatrit ishte se ndodhej në një truall ku Rama mund të bëjë shumë para, dhe e dyta që se ka bërë Rama.

Endri Shabani: ''Para dy vitesh e ca kur nisi ky debat, unë thashë se problemi kryesor që ka Teatri Kombëtar është se ishte në bash të vendit. Po të mos ishte aty dhe të kishte qenë në periferi, do ta kishin restauruar se qëllimisht e lanë të degradohej dhe do ishte ende funksional sot. Fatkeqësia e teatrit ishte se ishte aty. Ka dhe një fatkeqësi të dytë për teatrin. E para që ishte në vendin e gabuar, në vendin kur Rama mund të bëjë shumë para me një tokë publike, dhe e dyta që se ka bërë Rama. Kështu që ky teatri i dytë do jetë në një periferi, në një vend ku Rama nuk ka nevojë ta shesë, nuk mund ta shesë, nuk fiton aq shumë para se fiton në atë truall. Dhe e dyta, do ta bëjë Rama, do ta firmosë Rama.''

Sipas tij, asgjë nuk e pengon Ramën dhe se jemi në mëshirë të tij.

Endri Shabani: ''Të gjitha procedurat janë shembur. Dua t'i pyes qytetarët që nuk e kanë mbështetur këtë çështje, çfarë e pengon Ramën që nesër të vijë të na prishë shtëpitë tona? Kushtetuta? Jo, nuk e pengoi për teatrin. Ligjet e tjera? Jo, nuk e penguan për teatrin. Këshilli Bashkiak? Jo e jo. Parlamenti? Jo. Opozita? Jo. Media? Jo. Pra Ramën sot nuk e pengon më asgjë, dhe teatri ishte prova, ishte steka që ai e kaloi dhe na tregoi të gjithëve që jemi në mëshirë të Edi Ramës. Kjo është prova më e saktë që ne jetojmë në një sistem që e ka humbur balancën, i ka humbur të gjitha ngjyrat për të qënë një demokraci. Është një autokraci.''


/Ora News.tv/