Sipas pedagogut Endri Shabani, kakistkracia ka bërë që njerëzit të mos njohin aq anëtarët e këshillit bashkiak.

I ftuar në emsionin Ekopolitikë nga gazetari Besart Kadia në RTV Ora, ai tha se edhe sikur ata të rrafshojnë gjithë Tiranë, nuk do ketë mekanizëm për t'i shkarkuar nga detyra, sepse sistemi zgjedhor e ka hequr të drejtën për të zgjedhur.

Endri Shabani: ''Një shembull tjetër i kakistokracisë. Kam parë të qarkulluar në internet një listë me emrat dhe fotot e personave të këshillit bashkiak që kanë votuar për prishjen e Teatrit Kombëtar. Unë nuk i njoh këta njerëz. Unë kam lindur, jam rritur këtu, unë nuk e njoh kush më përfaqëson në këshillin bashkiak. Unë nuk i njoh sepse nuk kam votuar për ta. Dhe problemi tjetër këtu është që ata njerëz do zgjidhen prapë në këshillin bashkiak. Jo teatrin, po ata të rrafshojnë të gjithë Tiranën, nuk do kemi mekanizëm, për t'i shkarkuar nga detyra. Sepse këtu është ndërtuar një sistem zgjedhor ku na e ka hequr të drejtën për të zgjedhur edhe anëtarin e këshillit bashkiak, që është parlamenti lokal. Ky është burimi i kakistokracisë. Ky është burimi i qeverisjes nga më të këqinjtë, ku qytetari nuk ka më në dorë as kush e përfaqëson dhe e qeverisë.''

/Ora News.tv/