Deputetja e qarkut të Shkodrës, Senida Mesi i është kundërpërgjigjur kryetarit të PD-së Lulzim Basha. Ky i fundit dje përmes një postimi në facebook publikoi procesverbalin e mbledhjes së PS-së së Shkodrës një ditë para se të votohej kryetarja e këshillit bashkiak të qytetit. Basha denoncon atë që e quan blerje të votave me anë të krimit.

Reagimi i Senida Mesit

Mora vesh që Lulzim Basha, ka nevojë për mua për “kauzën e tij RAMA IK”, se normal edhe ato pak demokratikas që kishte i largoi dhe përmes “proçesverbalit” të mbledhjes së PS Shkodër të shkruar në zyrat e PD-së kërkon ndihmë.

Po të ishte burrë, s'do kishte patur nevojë të më citonte dhe të thoshte atë çfarë unë paskam “dëshmuar”, por do e kishte thënë vetë.

Po të ishte lider, do të kishte gjetur vetë provat dhe do të kishte dërguar gjithë të fortët dhe trafikantët pas hekurave që në kohën kur ishte Ministër i Brendshëm.

Lulzim Basha, betejat e mija në jetë i kam bërë dhe do vazhdoj t'i bëj vetë, me integritet dhe dinjitet. Po ti kur do i bësh i vetëm betejat e tuaja?

Lulzim Basha, nëse do të bësh ndryshimin, krijo besimin dhe parakushti është të thuash të vërtetën. Njerëzit mund të falin gabimet e mendjes por jo ato të shpirtit.

Nuk jam unë as shkaku e as problemi, shiko nga vetja dhe së paku të kuptosh një herë të vetme se loja jote jashtë sistemit ka vetëm një emër Dështim, ndërsa ai që sjell dështimin e ka një emër Dështak.


/Ora News.tv/