"Sëmurë?"Artur Zheji: Po notoj në det, Ora News vjen me surpriza befasuese

"Sëmurë?"Artur Zheji: Po notoj në det, Ora News vjen me

Në disa portale kanë qarkulluar shumë pandehma për zhvillimet më të fundit në mediat shqiptare, ku si zakonisht, të vërtetat dhe të pavërtetat, ngatërrohen në një gërshet herë të pafajshëm dhe herë shumë djallëzor. Ndër të tjera është ngritur një tymnajë edhe për gazetarin dhe analistin Artur Zheji, për shëndetin dhe për planet e tij të ardhshme mediatike. 360grade.al, e gjeti Zhejin në Sarandë, duke pushuar me familjen e tij, prej disa ditësh, herë me telefon mbyllur dhe herë me telefon hapur.

Zheji, më në fund si jeni?

Zheji: Do të doja që shumica e miqve të mi, që ua dua të mirën, të mos ndalojë së notuari në det, ashtu si po bëj unë në mënyrë të përditshme. Pse çfarë ka ndodhur?

Thuhet në disa portale se vijoni të jeni sëmurë…

Zheji: Më duhet ti përgënjeshtroj. Ndoshta, ndokush ka dëshirë të jetë ashtu dhe dëshirat i shndërron në përfundime, zakon shqiptar jo i shëndetshëm ky. E vërteta është se, këto dy tre muajt e fundit, u kujdesa për shëndetin, më me vëmëndje se më parë, pasi bëra një ndërhyrje kirurgjikale të lehtë dhe të shpejtë, në Gjermaninë e bekuar nga Zoti. Porse fill pas kësaj, kam parapëlqyer të heq “prizat”, nga e përditshmja mediatike dhe politike shqiptare, për të ulur stressin dhe kotësinë e rënies në kurthin e lajmeve të verës, që shpesh janë të ngjashme me puçrrat që u dalin fëmijëve nga djersa e vapës. Është një jetë e re në trekëndëshin, diell, det dhe familje… Pastaj mungesat në Shqipëri, ndonjëherë të bëjnë më të vlerësuar se sa prania mediatike e përhershme. Është edhe kjo diçka për tu shijuar, kur mungon ca kohë, dallohet më lehtë kush të vlerëson e kush jo, ku vendin e parë e ka publiku që ka mbërritur te unë me shqetësim dhe dashuri befasuese.

Çfarë mendoni për rastin Pjetri, si do zgjidhet çështja e Shkodrës?…

Zheji: Jo, jo… nuk kam përgjigje për këtë… ju kam edhe miq dhe doni të më rifusni në debate të parakohshme. Pjetri dha dorëheqjen, apo jo? Opozita e kapi mossinqeritetin e tij. Kryeministri e shkarkoi, me dëshirë ose pa dëshirë, kjo s’ka rëndësi. Më duket se nëse do të vijonin gjërat kështu, opozitë e ashpër dhe qeveri që mbrohet përmes dorëheqjeve, punët do të shkojnë më mirë në vjeshtën politike që po afron… ja, nuk ju lashë fare pa përgjigje, ju, miqve të 360grade.al, që duheni përgëzuar në këtë verë të nxehtë.

Zheji, po Rama do ti pranojë apo jo, zgjedhjet e dekretuara nga Presidenti Meta?

Zheji: Po shkoj të lahem në det tani… Zgjedhjet e Tetorit janë ligj Kushtetues, nuk e di, të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kur të kemi një të tillë… Faleminderit për pyetjet, dëgjohemi shpejt njëherë tjetër… dhe një gjë, pavarësisht se flitet shumë për ndryshime në mediat elektronike shqiptare, kam përshtypjen se televizioni Ora News do të ketë surpriza befasuese. Por është herët të flasim…



EMISIONET