Në shenjë të përkushtimit ndaj samitit të shumëpritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, Peniani ka dërguar një prej zyrtarëve më të lartë në Uashington. Gjenerali Kim Yong-chol pritet të mbërrijë të mërkurën në SHBA, për të vijuar bisedimet intensive në parapërgatitje të takimit mes presidentit amerikan dhe udhëheqësit koreano-verior, të planifikuar në datën 12 qershor.

Një nga zyrtarët më të lartë të Koresë së Veriut raportohet se po udhëton drejt Shteteve të Bashkuara, ndërsa shtohen shpresat për zhvillimin e një samiti mes palëve. 

Gjenerali Kim Yong-chol pritet të mbërrijë të mërkurën në Shtetet e Bashkuara dhe ai do të jetë zyrtari më i rëndësishëm koreano-verior që viziton vendin që prej vitit 2000.

Mediat spekulojnë se kjo vizitë e gjeneralit mund të jetë pjesë e takimit të propozuar mes presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit Kim Jong-un. 

Takimi u vu në dyshim pasi Trump lajmëroi tërheqjen javën e kaluar, por palët kanë shtuar përpjekjet për ta rikthyer në rrugën e duhur samitin e planifikuar për datën 12 qershor në Singapor.

Përfshirja e gjeneralit Kim në negociatat me SHBA-në shihet si një hap i rëndësishëm, pasi thekson dëshirën e Koresë së Veriut për të siguruar vijimësinë e bisedimeve. 

Një ish-shef i spiunazhit, Kim ka qenë pjesë e iniciativave diplomatike të profilit të lartë, të ndërmarra së fundmi nga Veriu, ndërsa ai shihet rregullisht në krah të udhëheqësit Kim Jong-un.

 

/Ora News.tv/