Rusia dhe Serbia lobim kundër njohjes së Kosovës

Rusia dhe Serbia lobim kundër njohjes së Kosovës

Rusia dhe Serbia janë koordinuar ndër vite në fushatën për t'i mohuar Kosovës njohjen e pavarësisë nëpër botë.

Sipas një investigimi të agjencisë së lajmeve "Radio Europa e Lirë", dy vendet kanë arritur të ndikojnë në 13 shtete.

Kryediplomati i Serbisë, Ivica Daçiç, i kundërshton këto pretendime, por shkresat zyrtare të sigluara nga Ministria serbe e Punëve të Jashtme konfirmojnë të kundërtën.

Rusia dhe Serbia mësohet se u kanë ofruar vendeve të varfra afrikane apo amerikanoqendrore, si Burundi, Papua, Guinea e Re, Lesoto, Madagaskari apo Grenada heqjen e vizave, pajisjen me pasaporta diplomatike apo lidhjen e marrëveshjeve shtetërore dypalëshe në këmbim të mosnjohjes ose revokimit të njohjes së shtetit të Kosovës.

I pyetur në lidhje me këtë çështje, zëvendëskryeministri Daçiç deklaron se ndikim të ngjashëm ushtrojnë edhe Shtetet e Bashkuara, duke i ofruar vendeve të caktuara ndihma ekonomike, por me qëllimin e kundërt që ato ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Lobimi i Beogradit kundër Prishtinës u vu në pah korrikun e kaluar nga vetë shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, madje atëkohë ai pretendoi se Serbia u dhuronte shteteve armatime që ta refuzonin vendin e tij.

Kosova e shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.

Prishtina pretendon se sovraniteti i saj njihet nga 117 shtete të botës, ndërkohë që në Evropë pesë shtete vijojnë të mbeten skeptike, mes tyre Spanja, Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia.

EMISIONET