Një kompani izraelite në Rumani pretendon se ka arritur të zhvillojë sistemin për gjetjen me saktësi të lartë të tërmeteve mbi 4,5 ballë mbi 4 orë përpara se të ndodhin. Gjetjet e deritanishme pretendohet se janë konfirmuar edhe nga sizmologët evropianë. 

Rumania po teston një sistem për parashikimin e tërmeteve disa orë përpara.

Sistemi i zhvilluar nga kompania izraelite "Ionoterra", monitoron qiellin apo shtresën e sipërme të atmosferës, e cila pretendohet se pasqyron edhe atë çfarë ndodh brenda Tokës.

Kompania izraelite, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Bukureshtit, pretendon se në fazën e testimit në vend ka arritur të gjejë me sukses 82 për qind të tërmeteve të ndodhura në Rumani.

"Algoritmi ynë funksionon më mirë me tërmetet katastrofikë. Për momentin, vlerësojmë se mund t'i diktojmë ata deri 8 orë përpara, dhe të marrim informacione jashtëzakonisht të besueshme brenda minimumit 4 orë," deklaroi drejtori i kompanisë, Doron Angeloviç gjatë prezantimit të punës ekipore.

Shumica e tërmeteve të parashikuara nga kompania për Turqinë dhe Greqinë Lindore janë konfirmuar nga Qendra Europiano-Mesdhetare e Sizmiologjisë.

Vitin e ardhshëm, sistemi do të kalibrohet për t'i raportuar rezultatet zyrtarisht autoriteteve rumune, ndërsa një model do të instalohet edhe në Kaliforni.

Deri më tani shkenca nuk ka arritur të parashikojë në mënyrë të përsëritur tërmetet.

Sistemet më të avancuara amerikane dhe japoneze raportojnë vetëm 2 apo 3 minuta më përpara. 

Në të gjithë botën, në vitet 2000 deri 2016, tërmetet me magnitudë më të madhe se 5 në shkallën Rihter kanë shkaktuar mbi 380 mijë persona dhe dëme të pallogaritshme.

/Ora News.tv/