Deputetja Rudina Hajdari ka tronditur me një deklaratë të saj në Kuvend. Deputetja demokrate, duke i tërhequr vëmendjen qeverisë për masat e dobëta kundër dhunës në familje, deklaroi se ajo vetë dhe nëna e saj kishin qenë viktima të dhunës. për këtë arsye, Rudina Hajdari kërkoi nga ministret gra të qeverisë që të luftojnë fenomenin e dhunës, pasi nuk mjafton vetëm barazia gjinore në Kuvend.

Rudin Hajdari: Dua të prek një problem akoma më të madh, dua të flas për një histori që është shumë e dhimbshme. Në këë foltore po flisja për historinë e një gjyqtare që u vra në mes të rrugës nga burri i saj. Çfarë bëri ky parlament? Asgjë! Në dy muaj janë vrarë 7 gra. Kjo është emergjencë kombëtare. Sot gratë nuk janë të mbrojtura. 

Kam patur raste që jam takuar me disa prej këtyre zonjave dhe  më vjen keq që në këtë parlament pas dy vjet e gjysëm, unë flas për gra që vriten çdo ditë. Ju sot reklamoni se roli i gruas shqiptare po rritet, ndërkohë që gratë vriten në rrugë. Sot çdo grua mund të jetë dhunuar.

Ne jemi të gjitha viktima të këtij fenomeni sepse nuk e luftojmë dhe bëhemi pjesë e këtij fenomeni. Nuk mjafton ta mbushni parlamentin me gra. Duhet të luftojmë, zonja ministre se po më shikoni në sy. Duhet të kishit shkarkuar dikë aty që punon me ju. Duhet të kishit marrë masa konkrete. Ministri i Brendshëm duhet të kishte shkarkuar dikë. 

Nuk mjafton thjesht të thoni se i kemi parë këto fenomene në televizor dhe të thoni: i kemi parë dhe ndodhin kudo. Historia e gruas shqiptare është historia e një gruaje që vuan gjithë jetën e saj. Qytetar të dashur dua ta ndaj me ju sepse ky problem është një plagë e rëndë.

Gruaja shqiptare vuan më shumë se çdo grua tjetër. Bashkë me mua, e deklaroj këtu para jush, që edhe unë kur kam qenë e re kam qenë pre dhe viktimë e dhunës. Si cdo njeri tjetër. Jo sot, nuk po flasim vetëm për dhunë psikologjike. Jemi të gjithë viktimë e këtij fenomeni e duhet të luftojmë që fëmijët tanë të mos e përjetojnë më. Nëna ime patjetër mund të ketë qenë viktimë e dhunës në komunizëm, unë kam qenë viktimë e dhunës, por fëmija im nuk duhet të jetë më viktimë e dhunës.  

 

 

/Ora News.tv/