Kryetari i Kuvendit,  Gramoz Ruçi, i shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Gjermani, me ftesë të Presidentit të Bundestag-ut, Wolfgang Schauble.

Me vizitën në Bundestag, Kryetari i Kuvendit nisi veprimtarinë e tij lobuese me parlamentet e vendeve anëtare të BE-së për çeljen e negociatave në qershor 2019.

Gjatë takimit me Presidentin Schauble, Kryetari Ruçi e vlerësoi atë si “një mik të madh të Shqipërisë” dhe i shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e Bundestag-ut, qeverisë, Kancelares Merkel dhe atij personalisht, në kuadër të vendimit të Këshillit Europian për rekomandimin për çeljen e negociatave në qershor 2019.

“Populli shqiptar ushqen ndjenja të thella të miqësisë dhe respektit për popullin gjerman dhe Gjermaninë, si lokomotiva ekonomike dhe politike e Europës. Çelja e negociatave të anëtarësimit është beteja jonë kryesore këtë gjashtëmujor dhe Kuvendi, qeveria, institucionet dhe qytetarët shqiptarë janë unanimisht në mbështetje të këtij procesi. Mbështetja e Gjermanisë për integrimin europian të Shqipërisë është shumë më tepër se mbështetja e nje vendi anëtar të BE-së. Prandaj ne po punojmë që të realizojmë këtë qëllim strategjik kombëtar, duke e merituar mbështetjen e Gjermanisë me avancimin e agjendës integruese dhe realizimin e objektivave në të gjitha prioritetet",- u shpreh në takim Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ndërsa Schauble, gjatë takimit me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë,  u shpreh: "E Ardhmja e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor është në BE. Fillimi i bisedimeve për anetarësim është fillimi i një procesi transformimi të thellë".  

Kryetari Ruçi vuri në dukje se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE  dhe nënvizoi rëndësinë e një marrëveshjeje të dy vendeve për garantimin e një të ardhmeje europiane.

/Ora News.tv/