Banorët e Mirditës thonë se degradimi i rrugës që i lidh me Burrelin u ka vështirësuar jetën. Ndaj ata zbritën në protestë, ku kërkuan ndërhyrje për rikonstruksion dhe hetim për punën e dobët sipas tyre të bërë disa vite më parë.

Degradimi i rrugës nacionale Rrëshen-Burrel ka ngritur në protestë banorët e tre fshatrave në Mirditë.

Ata tentuan të bllokojnë rrugën mëngjesin e së premtes, por nuk u lejuan nga Policia.

Sipas banoreve rruga e ndërtuar 6 vite më parë është shkatërruar plotësisht, duke ju vështirësuar lëvizjen dhe rritur koston e jetesës.

"Para 3 vitesh ka qenë bileta 1 mijë lekë, tani ka shkuar 2500 lekë"

"Është protestë ekonomike, unë i majtë jam, por kam dalë në protestë për të drejtat e banorëve"

Ata thonë se cilësia e punimeve ka qenë e dobët dhe për këtë kërkojnë që prokuroria të nisë menjëherë hetimet për personat përgjegjës.

"Nuk duam as të rrëzojmë qeverinë,as Rama ik, as Berisha ik, por duam që hajduti që ka vjedhur lekët e rrugës të dalë para ligjit"

Përgjatë rrugës me gjatësi 31 kilometra ka rrëshqitje të trasesë dhe dëmtime të asfaltit, që sipas banorëve dhe drejtuesve të mjeteve e ka bërë të rrezikshme lëvizjen në disa pjesë.

/Ora News.tv/