Rrugë të bllokuara, mungesë energjie dhe anulime të fluturimeve.Këto kanë qenë efektet e motit të keq  që ka përfshirë Shqipërinë që prej mbrëmjes së të hënës. Në aksin Balldre-Torovicë në Lezhë është riaktivizuar fenomeni i rrëshqitjes së gurëve masive nga mali. Vështirësi ka edhe në autostradën Fushë Krujë-Milot. Tirana, Durrësi dhe Burreli janë zonat më të prekura nga defektet në rrjetin elektrik.Në aeroportin "Nënë Tereza" janë shënuar vonesa me mbi 2 orë, anulime, por edhe devijim i fluturimeve.

Pas lëkundjeve të tërmetit Shqipëria është përfshirë nga stuhi të shoqëruara me reshje të dendura shiu, të cilat  kanë sjellë përmbytje dhe bllokime rrugësh. Në disa segmente ka pasur rrëshqitje të gurëve apo vërshim të ujit.

Lëvizja në aksin rrugor Balldre-Torovicë në Lezhë është mjaft e frikshme. Masivë shkëmborë janë shkëputur, duke shkaktuar rrezik të aksidenteve.

Fenomeni i shfaqur prej dy vitesh rrezikon të prodhoje tjetër tragjedi si ajo e tetorit të vitit 2017, ku një gur goditi automjetin e për pasojë humbën jeten 3 persona, mes të cilëve dhe një grua shtatzëne.

Banorët e Torovicës thonë se jetojnë me frikë, ndërsa pavarësisht ankesave askush nuk merr masa për të parandaluar fenomenin.

"Kemi frikë, por e kemi rrugë të përditshme."

"Asnjë lloj mase nuk është marrë."

"Me ra tërmet këtu bëhet kërdia."

Problematika ndërkohë ka në disa rrugë nga jugu në veri. Në segmentet e zonës së Dajtit nga reshjet ka rënie gurësh e dherash, po ashtu  dhe rrugët dytësore dhe segmentet e Kamzës kanë pasur disa vështirësi në qarkullim për shkak të nivelit të ujit.

Përmbytja e autostradës Fushë Krujë-Milot ka shkaktuar bllokime dhe trafik të rënduar në të dy krahët e këtij aksi. Kalimi në autostradë bëhet me vështirësi si pasojë e prezencës së ujit në rrugë.

Edhe në qarkun e Kukësit ka probleme për shkak të rrëshqitjes së dherave  në akset  Kukës-Shishtavec, Bajram Curri- Valbonë dhe në Lekbibaj.

E njëjta situatë vërehet dhe në rrugën nacionale Burrel-Milot pranë Shkopetit, ku lëvizja bëhet vetëm me një kalim.

Në qarkun e Gjirokastrës inertet kanë bllokuar kalimin drejt fshatit Fushbardhë, e cila ka pësuar bllokime në pesë pika dhe lëvizja bëhet vetëm në këmbë.

Në Dragot dhe pranë Ujit të ftohtë ka pasur vërshim ujërash dhe dherash.

Bllokime ka edhe rruga Tepelenë-Kurvelesh.

Moti i keq me reshje dhe erë ka shkaktuar defekte edhe në rrjetin energjitik.

Rajonet më të prekura nga defektet dhe ndërprerja e energjisë  janë Tirana, Durrësi dhe Burreli.

Për shkak të rrufeve në aeroport u vonuan me rreth 2 orë 8 fluturime, u anuluan 2 të tjerë dhe janë devijuar 6 fluturime.


(Ne foto aksi: Rrëshen - Bukmirë)



(Ne foto: Aksi Balldre - Torovicë)



/Ora News.tv/