Policia private shkel ligjin, ndërhyrja e rojeve në Fakultete tejkalim kompetencash

Policia private shkel ligjin, ndërhyrja e rojeve në Fakultete tejkalim

Ngujimi i studentëve në Fakultetin e Ekonomikut dhe Juridikut ka sjellë përplasje dhe konfrontim fizik me rojet e policisë private. Siç shihet edhe nga pamjet nw video, studentët janë dhunuar nga policët privatë në tejkalim të kompetencave dhe të ligjit, brenda ambienteve të Universitetit. Të rinjtë deklarojnë se ndaj tyre është ushtruar dhunë e presion në mënyrë që të ndërpritet protesta.

Ndërhyrja e policisë private  në ambientet brenda Universitetit është bërë në kundërshtim me ligjin e arsimit të lartë neni 5, 80/2015, i cili parashikon se:

"Ndërhyrja e organeve të rendit publik në mjediset akademike bëhet me kërkesën ose lejen e titullarit të institucionit të arsimit të lartë. Vetëm në rastet e kryerjes së një vepre penale flagrante, në rastet e fatkeqësive natyrore dhe gjendjes së jashtëzakonshme, organet e rendit publik kanë tëdrejtë të ndërhyjmë edhe pa lejën e titullarit të institucionit të arsimit të lartë".

Efektivët e policisë private, janë punonjës të kompanisë Toni-Security Shpk.

Kjo shoqëri  në bashkëpunim me Eurogjici Security Shpk, me administrator ish-prefektin socialist të qarkut të Kukësit Safet Gjici, njëherësh ish-kandidat për deputet nga PS, janë përgjegjës për sigurinë fizike të objekteve të institucioneve të arsimit të lartë.

Në ligj theksohet qartë se “cënimi i paprekshmërisë së institucioneve të arsimit të lartë ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi”.

Efektivë të policisë private të cilët ruajnë ambientet e Fakultetit Ekonomik gjatë orëve të natës hynë në auditoret ku ishin ngujuar studentët dhe larguan bankat dhe tavolinat me të cilat ata kishin bllokuar dyert.

Universiteti i Tiranës ka publikuar një shkresë të datës 10 janar 2019, me numër prootokolli 120, ku administratori Skerdi Dafa, i kërkon policisë së shtetit vendosjen e rendit dhe garantimin e sigurisë në auditore.

Në letër, administratori i Universitetit të Tiranës thotë ndër të tjera se situata e ditëve të fundit po shkakton anormalitet në procesin mësimor duke cënuar rendin dhe sigurinë për studentët dhe personelin akademik.

Për këtë arsye, ai i lutet policisë së shtetit të marrë masa dhe të jetë prezente për shkak se mësimi ka rinisur, por në disa Fakultete hyrja është bllokuar.

Megjithatë duket se edhe kjo shkresë e cila i drejtohet policisë së shtetit, nuk e justifikon praninë e rojeve private dhe ndërhyrjen e dhunshme që ata kanë kryer në radhët e studentëve.

EMISIONET