Këngëtarja e famshme e Rita Ndoci është rikthyer në Shqipëri për të marrë pjesë në festivalin e këngës qytetare “Luleborë” në Shkodër.

E ftuar në emisionin “Tempora në RTV Ora, Rita Ndoci tha se u prit shumë mirë nga publiku shqiptar , ndërsa u shpreh se erdhi po aq e thjeshtë sa iku.

Këngëtarja, e cila jeton në Gjermani, theksoi se e gjeti publikun ashtu siç e ka lënë vitet ’86, duke shtuar se spektatorin e edukon artisti.

Rita Ndoci: ”Bashkë me këtë eksperiencë që kam unë si në periudhën e komunizmit, si pas viteve ’90 mendoj që spektatorin duhet ta edukojë artisti. Unë nuk mendoj se spektatori është tjetër nga gjithë kjo eksperiencë. Nëse në atë kohë kemi kënduar këngë të politizuara, unë se kam bërë, spektatori na ka dashur. 

Unë imitoja, kërceja e lirë në skenë, këndoja, jepja energji dhe njerëzit e merrnin këtë energji, edhe thonin diçka po lëviz. E kam shfrytëzuar si fëmija vogël që mendohet të shtyjë kufirin për ti marrë të gjitha. Nuk mendoj se spektatori është tjetër. 

Të shtunën dhe të dielën konkurruam me këngë të re. dolëm në skenë dhe isha e përlotur. Ti vjen te ky teatër dhe gjithë njerëzit të shohin e fillojnë përloten me ty. Ndoshta nga interpretimi, ndoshta nga malli që kanë për ne. Aty gjetëm të  gjithë brezat e artistëve në festival, kisha vajza të reja që dilnin për herë të parë.

Kemi kaluar emocione të papame. Spektatori i Shkodrës ashtu siç kam lënë në ’86, ashtu siç ika e thjeshtë nga ai Teatër ashtu u ktheva me fustan të thjeshtë, e leva vetë. Ajo Rita pa 36 vite eksperiencë diku tjetër dhe ata e pranuan, ata ma duartrokitën dhe nuk pushonin.”

Rita rrëfeu edhe emocionet e kthimit në Shqipëri, duke u shprehur se sa herë që vjen rifreskohet.

Rita Ndoci: “Si mundesh të braktisësh atë që ke lënë këtu. Lashë këtu gjithçka, famën, vendin, miqtë, aktorët, kolegët. Kur më jepet mundësi si të mos i lë të gjitha atje dhe të vij të rifreskohem, karikohem.”

/Ora News.tv/