Gjykata Kushtetuese hap dyert për 3 gjyqtarët e betuar tek presidenti Meta, jo Arta Vorpsin

Gjykata Kushtetuese hap dyert për 3 gjyqtarët e betuar tek presidenti

Gjykata Kushtetuese nuk njeh Arta Vorpsin. Kështu lihet të kuptohet në deklaratën e shpërndarë nga ky institucion pasditen e sotme ku thuhet se ka ndërmarrë hapat administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës. Gjyqtarët që u betuan dje tek presidenti janë: Marsida Xhaferllari, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji.

"Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës." informon Gjykata. 

Gjykata Kushtetuese ka reaguar dhe per rezoluten. Në njoftimin e tij ky institucion ka deklaruar se edhe pse janë plotësuar disa vakanca, përsëri nuk ka kuorumin për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore lidhur me kërkesat që paraqiten përpara saj. 

"Jemi njohur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë sot, në datën 15.11.2019, për “Shmangien e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”.  Në citim të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.

Për sa më sipër, lidhur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese sqaron se, edhe pas plotësimit të disa prej vakancave në përbërjen e saj, nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore lidhur me kërkesat që paraqiten përpara saj. Për këtë arsye ajo nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj thelbësore apo juridiksionale lidhur me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis pushteteve apo organeve kushtetuese, si dhe as ato kompetenca që lidhen me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e pushtetit publik.

Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës."

EMISIONET