Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja  dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parakohshme dhe kriza e vlerave”, ku tregoi votën dhe besimin te Vetëvendosja. Në një intervistë ekskluzive për dritare.net tregon besimin e palëkundur te bashkimi i trojeve, i kombit në një: “Në këtë mision politik, demokratik, shoqëror e atdhetar të tyre pashmangshëm duhet të jetë i përmbajtur edhe ideali historik: bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”

Pjese nga intervista

Profesor ju kurrë nuk bëtë kompromise me parimet, jeni ndër të vetmit autoritete morale orientuese të këtij kombi! A besoni ju se erdhi dita? Siç qe slogani i VV-së, që shqiptaret të votojnë dhe udhëhiqen nga njerëz të mençur dhe sidomos që e duan kombin. Koha e sistemit, vidh e vrit, se të mbuloj unë, po merr fund!

Rexhep Qosja: A besoj se erdhi dita? Ky ishte një slogan premtues i gjetur me mend, që mund të besohet, ushtroi ndikim në vullnetin dhe vetëdijen e votuesve. Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj Albin Kurti, megjithëse ka rreth vetes një numër të dukshëm burrash e grash me kulturë të shquar politike, me përgatitje profesionale, me nivel të dukshëm të gjykimeve politike, lejohem të them, edhe me gatishmëri e vullnet që pakursyeshëm të bëjnë më të mirat për Kosovën, për shqiptarët në përgjithësi, nuk do ta kenë lehtë. Prapë po e thërras në ndihmë historinë e cila na mëson se shqiptarët–opozitarë, qëllimeve më të mira jo rrallë s’ kanë ngurruar t’u vënë pengesa të ndryshme, të cilave vetëm dreqi dhe i biri do t’ua dinin prejardhjen dhe përmbajtjen.

Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj Albin Kurti, me bashkëpunëtorët e bashkëpunëtoret e tij kanë përpara jo detyra politike po misione politike: që të reformojnë të gjithë përbërësit, domethënë të gjithë sektorët e jetës politike, shoqërore, administrative-shtetërore, ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe kulturore, që ta bëjnë Kosovën shtet i të drejtës, që ta bëjnë Kosovën shtet social, në të cilin të gjitha dinjitetet do të jenë barabar të kujdesura e të siguruara. Në këtë mision politik, demokratik, shoqëror e atdhetar të tyre pashmangshëm duhet të jetë i përmbajtur edhe ideali historik: bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

Intervista u mor nga gazetarja Rudina Xhunga. 

/Ora News.tv/