Kapiteni i Arsenalit, Granit Xhaka sqaroi "shpërthimin" që bëri për tifozët e klubit të tij, në ndeshjen me Crystal Palacen në Premier League në "Emirates Stadium".

Futbollisti shqiptar u kërkoi falje tifozëve për sharjet që u kishte bërë, nëpërmjet një letre të hapur, ndërsa zbuloi se “doli nga vetja” për shkak të mesazheve kërcënuese që kishte marrë nga disa tifozë në rrjetet sociale.

Pasi kam marrë kohën e nevojshme për të reflektuar në atë që ka ndodhur të dielën, dua të jap një shpjegim në vend të një përgjigjeje të shpejtë. Skenat që ndodhën rreth zëvendësimit tim më kanë shokuar. E dua këtë klub dhe jap gjithmonë 100 për qind të vetes. Fakti që nuk jam kuptuar nga tifozët dhe komentet abuzuese që përsëriteshin në ndeshje dhe në rrjete sociale përgjatë javëve të fundit më kanë lënduar thellë. Njerëzit kanë thënë gjëra si “Do të të thyejmë këmbët”, “Do të vrasim gruan tënde” dhe “Urojmë që vajza jote të marrë kancer”.

"Kjo më ka trazuar dhe kam arritur në pikën që kam shpërthyer kur ndjeva refuzimin në stadium të dielën. Në këtë situatë, humba veten dhe reagova në atë mënyrë të parespektueshme ndaj grupit të fansave që përkrahin klubin tonë, ekipin dhe mua me energji pozitive.

"Ky nuk ishte qëllimi im dhe kërkoj falje nëse kjo është ajo që mendojnë njerëzit. Uroj që të kthehemi me respekt të përbashkët, të kujtojmë pse kemi rënë në dashuri me këtë lojë në vend të parë. Të ecim bashkë përpara me pozitiivitet”, shkruan Xhaka në letrën e tij të hapur.

Mesfushori shqiptar por që mbron ngjyrat e Zvicrës në kompeticionet ndërkombëtare u largua i revoltuar nga fusha në barazimin 2-2 që Arsenal mori në shtëpi ndaj Crystal Palace.



/Ora News.tv/