Ashtu si PS edhe PD po punon mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore, por ende nuk është gjendur mënyra se si do të bashkëngjiten dy draftet. Kjo pasi PD nuk e njeh komisionin e posaçëm parlamentar, ndërsa mazhoranca refuzon të miratojë reformën në struktura jashtë parlamentare.

Për reformën zgjedhore mazhoranca dhe opozita jashtë parlamentit po punojnë në mënyrë paralele për të konkloduar me një produkt final gjithëpërfshirës. PD së bashku me aleatët e saj kërkojnë që financimet politike të jenë 100% nga shteti për subjektet politike dhe fushatat zgjedhore me qëllim shmangien e financave private nga burimet e dyshimta.

Oerd Bylykbashi: Ajo që duhet t'u garantojmë shqiptarëve është një transparencë e plotë e burimeve nga marrin partitë financim. Një qeveri kujdestare, transitore garanton që zgjedhjet janë të lira dhe të ndershme, duke garantuar të gjithë mekanizmat përfshirës ndëshkimin e atyre që shkelin kodin zgjedhor, apo të atyre që shkelin apo vjedhin votat.

Ndërsa nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, dy bashkëkryetarët Gjiknuri dhe Hajdari nënvizuan se draftet e PD me të ardhur në komision do t’i bashkëngjiten propozimeve të tyre.

Damian Gjiknuri: Këto drafte i kanë shkuar edhe partive opozitare që janë jashtë Kuvendit. Ata nuk kanë sjellë opinione me shkrim. Siç e kemi thënë dhe e përsëris janë të mirëpritur të sjellin komente për propozimet e tyre, të cilat Komisioni do i shqyrtojë njësojë sikur të jenë edhe anëtarë të këtij Komisioni.

Por problemi qëndron në faktin se PD nuk e njeh si të ligjshëm Komisionin Parlamentar.

Oerd Bylykbashi: Mazhoranca duhet të kuptojë një gjë, Reforma Zgjedhore bëhet vetëm në mënyrë gjithëpërfshirëse, në një instrument që është i besueshëm për shqiptarët dhe jo në një Komision që është pasqyrë ku mazhoranca sheh veten e vet sa e shëmtuar është.

Draftin e PS, përveç PD e kanë kritikuar edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët e kanë cilësuar si të paplotë dhe jofunksional. Ndërkohë nga ana tjetër komisioni u kërkoi ekspertëve që të sjellin propozimet për administrimin zgjedhor, që është edhe një nga rekomandimet e ODIHR.

/Ora News.tv/