OSBE organizoi sot tryezën e dytë teknike për reformën zgjedhore me temë "Financimi i partive politike dhe fushatës zgjedhore".

Në tryezë ishte e pranishme edhe opozita e bashkuar, e përfaqësuar nga Ivi Kaso dhe Muharrem Caka. Opozita e bashkuar kërkon 100% financim nga shteti të fushatës zgjedhore.

Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, në një prononcim për gazetarët tha se mazhoranca është në pritje të propozimeve konkrete të PD për reformën.

Gjiknuri: Nga ekspertët e Këshillit të Europës dhe Institutit Demokratik Amerikan janë duke u bërë disa propozime dhe sugjerime në lidhje me kufizimet e shpenzimeve të fushatave zgjedhore si dhe po jepen mendime në lidhje me projektet që ne kemi shfaqur në Komisionin e Reformës Zgjedhore duke bërë de facto dhe një kritikë. Deri tani nuk kemi para asgjë përveç deklaratave politike, do të shprehemi në lidhje me to. 

Sa i përket rolit të PD, prezenca e saj në tryezë është e rëndësishme dhe unë jam i bindur që ne kemi mundësi ta shfrytëzojmë këtë tryezë për të adresuar dhe çështjet e reformimit të partive politike sepse ajo mund të jetë një gjë që trajtohet jashtë kuadrit të reformë zgjedhore.Legjislacioni i ri për financimin e partive politike patjetër do të përfshijë partitë kryesore shqiptare që në këtë rast i bie dhe PD.

/Ora News.tv/