Deputetët e mazhorancës në Komisionin e Mediave kanë pezulluar shqyrtimin e projektligjit për reformimin e Akademisë së Shkencave.

Shkak është bërë mungesa e parashikimit të buxhetit që do të kërkojë vënia ne zbatim e draftit të firmosur prej 14 parlamentarëve.

Akademiku, Skënder Gjinushi, sqaroi se Akademia do të jetë e hapur për bashkëpunime, me qëllim rritjen e integritetit të kërkimit shkencor.

Skënder Gjinushi: Ligji jep mundësinë që Akademia të ngrejë dhe njësi të kërkimit, njësi të studimit, njësi të oponencës, njësi të promovimit.

Një tjetër kërkesë e deputetëve ishte përfshirja në projekt dhe të afrimit të intelektualëve që kanë emigruar ndër vite.

Besnik Bare: Organizimin, gjetjen e mekanizmave si këtë kapacitet intelektual që sot është i shpërndarë në të gjithë botën, ne të mund ta integrojmë dhe ta absorvojmë në rritjen e cilësisë.

Nisja e diskutimeve është përshëndetur nga Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, e cila shprehet se do të paraqesë idetë e saj mbi projektin.

Por nisma vazhdon të kundërshtohet nga akademiku Artan Fuga.

Në një reagim ne facebook, ai shkruan se Ministrja ka si qëllim shpërbërjen e Akademisë dhe integrimin në një të vetme me atë të Malit të Zi dhe Maqedonisë.

/Ora News.tv/