Rama: SHBA do të japë më shumë se 5 mln dollarë për rindërtimin

Rama: SHBA do të japë më shumë se 5 mln dollarë

ShBA do të rrisë shumën e deklaruar në Bruksel për Rindërtimin. Lajmi është bërë me dije nga kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale pas takimit me ambasadoren amerikane Yuri Kim, të cilën tha se e falenderoi për lajmin e mirë.

Rama nënvizon se nisja e punës së përbashkët për Akademinë e Transparencës realizon një kërkesë tonën ndaj miqve të çmuar për ta bërë rindërtimin shembull edhe në këtë aspekt.

Ambasadorja amerikane zhvilloi sot takime me Ramën, presidentin Meta dhe kryeopozitarin Basha.

Në një njoftim, Ambasada amerikane nënvizoi pritshmëritë që ka për transparencën me donacionet që do të përdoren për rindërtimin pas tërmetit.

"Për sa i përket specifikisht, konferencës së donatorëve në Bruksel, ne besojmë se ajo pasqyron solidaritetin, mbështetjen dhe dëshirën e komunitetit ndërkombëtar për ta ndihmuar popullin shqiptar në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit. Diskutuam gjithashtu edhe për pritshmëritë për transparencë dhe llogaridhënie përgjatë gjithë këtij procesi. Përveç konferencës së donatorëve, diskutova edhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë në javët e muajt e ardhshëm, duke treguar pjekuri, respekt për institucionet dhe besim në proceset demokratike. Presim që udhëheqësit shqiptarë të sillen në mënyrë të tillë që të jetë e përgjegjshme dhe për të mirën e popullit shqiptar. Ne e sigurojmë popullin shqiptar se ne do të jemi aty për të vëzhguar dhe kontribuar".

Në Konferencën e Donatorëve të mbajtur në Bruksel SHBA u shpreh se do të kontribuojë me 5 milion dollarë për Shqipërinë. Ato do të kanalizohen në tre drejtime, ku një pjesë e këtyre parave do të shkojnë për ngritjen e Akademisë së Transparencës për fondet e rindërtimit.


EMISIONET