Rama paralajmëron rritje të fondit të garancisë sovrane: Shumë shpejt do të kemi masterplanin e rimëkëmbjes

Rama paralajmëron rritje të fondit të garancisë sovrane:

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot se qeveria shumë shpejt do të ketë gati masterplanin e rimëkëmbjes ekonomike.

Po kështu Rama deklaroi se qeveria po analizon situatën dhe mund të ketë një rritje tjetër të garancisë sovrane për lehtësimin e kredimarrjes për bizneset.

Shefi i qeverisë ishte optimist se situata e rëndë ekonomike që ka përfshirë vendin  do të tejkalohet shumë shpejt dhe se Shqipëria do të mund të rikuperojë vendet e punës të humbura gjatë pandemisë së Covid 19.

Rama: Jemi shumë të inkurajuar që fazën e  parë të kësaj lufte me këtë armik të padukshëm e kemi kaluar me sukses. Shqipëria është një histori suksesi dhe është e çuditshme pse e vënë në diskutim pasi të gjithë duhet të jenë të lehtësuar.

Jam i shqetësuar për fazën e dytë, hapja sjell me vete një sërë rreziqesh. Virusi është mes nesh dhe do jetë për një kohë të gjatë. Na duhet shumë kujdes. Jemi të përgatitur dhe për mundësinë e një vale të re infektimesh.

Shikojmë ecurinë  e paketave, paketa e parë është kryer ditë pas dite dhe vazhdon disbursimi i transhit të dytë të pagës së luftës. Mbeten pak të tjerë që duhet të ndihmohen për të plotësuar dokumentacionin me bankat. Paketa e zgjeruar po ashtu ka ecur mirë.

22 milion euro janë alokuar  për bizneset nga garancia sovrane, ka shumë aplikime që po shqyrtohen. Jemi të përgatitur për ta shtuar shumën në funksion të analizës që do të bëjmë dhe nevojave që do të konstatojmë.

Instrumenti i dytë sapo është vënë në lëvizje do të ndihmojë sektorin prodhues, turizmin dhe fasoneritë.

Jemi të vetëdijshëm që duhet një shtysë e fortë për ekonominë, jemi duke punuar ditë dhe natë për një plan të përgjthshëm të rimëkëmbjes.

Bazën e ka me planin që ishte për rindërtimin. Por kushtet kanë ndryshuar. Shumë shpejt do të kemi masterplanin e rimëkëmbjes. Jemi të bindur se do ta kalojmë me shumë sukses dhe shumë më  shpejt nga çfarë parashikohet. Në 2021 do të fillojmë të shohim rezultate konkrete. Jemi të bindur që brenda pak muajsh do të rikuperojmë humbjen dërmuese që kemi pasur në punësim.


EMISIONET