Rama: Opozita hidhet përpjetë pas çdo goditje të vetingut, Basha: Po mbron të korruptuarit

Rama: Opozita hidhet përpjetë pas çdo goditje të vetingut,

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD, Lulzim Basha janë përplasur në distancë në lidhje me vettingun. Shefi i qeverisë ishte i pari, i cili në një status në FB tha se vetingu po vijon të godasë me sukses në kokë oktapodhin e korrupsionit degjenerues në drejtësi. Sipas kryeministrit, për fatkeqësinë e zgjedhësve të saj që e mbështesin vetingun, njësoj si gjithë qytetarët, e për turpin e saj më të madh, opozita hidhet përpjetë pas çdo goditje.

Rama i cilëson opozitën dhe kundërshtarët e reformës në drejtësi si humbës pa pikë dinjiteti.

"Vetingu vijon të godasë me sukses në kokë oktapodhin e korrupsionit degjenerues në drejtësi. Po për fatkeqësinë e zgjedhësve të saj që e mbështesin Vetingun,njësoj si gjithë qytetarët e për turpin e saj më të madh,opozita hidhet përpjetë pas çdo goditje" shkruan Rama që shoqëron postimin me hashtagun #HumbësaPaPikëDinjiteti.

Por i mënjeherëshëm ishte edhe reagimi i Bashës, i cili akuzoi kryeministrin Rama se mbron nga vettingu gjyqtarët e korruptuar.

Lulzim Basha: Edi Rama është Koka e Oktapodit të Drejtësisë që mbron dhe nuk ndëshkon politikanët e korruptuar e të lidhur me krimin. Për të mbrojtur Tahirin, Xhafën, Roshin, Frrokun, Dakon, Sejdinin, Ahmetajn dhe Gjiknurin me shokë, Edi Rama kapi Prokurorin e Përgjithshëm dhe zhduku Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.

Tani Edi Rama po mbron nga vetingu gjyqtarët e korruptuar si Toska, Dvorani dhe Faqolli, si shpërblim për dosjet që mbyllën dhe si kapar për dosjet që duhen mbyllur.

Sa herë PD denoncon me fakte konfirmimin në detyrë në kundërshtim me ligjin e Vettingut të shërbëtorit të Edi Ramës në Gjykatën e Lartë, Ardian Dvorani, Edi Rama, reagon me akuza të dala boje kundër opozitës.

Vettingu i kontrolluar politikisht prej Ramës, ka konfirmuar në detyrë gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, pavarësisht rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për shkarkimin e tyre. Ndaj atij i ka rënë maska dhe tregohet botërisht me gisht si njeriu që mbron korrupsionin në drejtësi, për të mbrojtur interesat e veta dhe të krimit të organizuar me të cilin bashkëqeveris.


Ndërkohë sot PD denoncoi sërish konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani, të cilin e akuzon si "shërbëtori i Edi Ramës  në Gjykatën e Lartë", dhe "simboli i persekutorit politik të diktaturës  në sistemin e ri të drejtësisë. "

Deputetja Izmira Ulqinaku: Konfirmimi në detyrë nga organet e vettingut i Ardian Dvoranit,  shërbëtorit politik të Edi Ramës në Gjykatën e Lartë, nuk ishte thjesht  një lajm i keq për Reformën në Drejtësi, duke i vënë vettingut vulën e  një procesi politik. Ardian Dvorani, simbol i korrupsionit financiar dhe politik në  sistemin e drejtësisë, me 100 milionë lekë pasuri të padeklaruar apo me,  të paktën, 3 shtëpi të privatizuara në kushtet e konfliktit të pastër  të interesit, simboli i gjyqtarit që nuk zbaton  vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mbarimin e mandatit të tij, është  edhe simbol i persekutorit të regjimit komunist në sistemin e ri të  drejtësisë. 

Ardian Dvorani ka qenë prokurori që, 1 ditë, pas krijimit të partisë  së parë opozitare në vend, pas 45 vitesh diktaturë, akuzoi për  terrorizëm dhe kërkoi 15 vjet për shkodranët që rrëzuan bustin e Enver  Hoxhës. Nëse organet e vettingut nuk do te ishin të korruptuara politikisht, sot  Ardian Dvorani duhet të ishte përjashtuar nga sistemi i drejtësisë për  mungesën e integritetit moral dhe profesional, pasi një shërbëtor i  zellshëm i diktaturës deri në grahmat e fundit  të saj, nuk mund të jetë i denjë dhe nuk mund të japë drejtësi në një  sistem demokratik. 

EMISIONET