Rama nis betejën ligjore me Hardinajn, e padit për shpifje

Rama nis betejën ligjore me Hardinajn, e padit për shpifje

Krisja e marrëdhënieve mes kryeministrit Rama dhe homologut të tij Ramush Haradinaj, ka arritur kulmin me një padi që shefi i qeverisë shqiptare ka depozituar në Gjykatën e Prishtinës ndaj kreut të ekzekutivit të Kosovës. Rama e akuzon atë për shpifje dhe kërkon dëmshpërblim si dhe përgënjeshtrim të deklaratave që Haradinaj ka bërë në emisionin "360 gradë" të Artur Zhejit, në Rtv Ora. Në reagimin e tij Haradinaj thekson se do përgjigjet me padi.

"Propozimi për hapje të kufijve ka ardhur prej Serbisë por është aprovuar dhe prej Shqipërisë. Kryeministri i Shqipërisë dhe Presidenti i Kosovës janë kujdesur që të mos e vizatojnë çdo herë zgjidhjen, por në disa adresa e kanë vizatuar, kanë folur konkret."

Ka qenë pikërisht  kjo deklaratë e kryeministrit kosovar Haradinaj bërë në emisionin "360 gradë" të Artur Zhejit që ka ngjallur reagimin e tepruar të kryministrit shqiptar Edi Rama. Një padi në adresë të kreut të qeverisë së Kosovës mesa duket do të shqyrtohet nga gjykata e Prishtinës ku Edi Rama ka kërkuar jo vetëm përgenjështrim, por edhe kompensim të dëmit.

Padia është zbardhur nga emisioni "Betimi për Drejtësi". Vlera e dëmit që Rama pretendon ende nuk dihet, por emisioni ka zbardhur përmbajtjen e padisë.

 “Në datën 17 tetor dhe në datën 29 tetor kryeministri i Kosovës ka kryer deklarim publik të fakteve shpifëse e mashtruese në adresë të Paditësit me pasojë cënimin e nderit, personalitetit, reputacionit dhe dinjitetit të Paditësit me pasojat e parashikuara në legjislacionin e zbatueshëm”, deklaratat shpifëse kanë pasur për kontekst përgatitjet për procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë."

Madje Rama pretendon se deklaratat e homologut të tij kosovar kanë krijuar në publik idenë e rreme se Rama po dëmton interesin e kombit shqiptar.

"Kryeministri i Kosovës, është autori e përhapësi në publik i akuzave për fakte konkrete të cilat në mënyrë të përsëritur e në mënyrë direkte e indirekte, kanë krijuar në publik idenë e rreme sipas së cilës “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë në personin e Paditësit është në shërbim të një ideje në dëm të interesit të kombit shqiptar në përgjithësi dhe të interesit të Republikës së Kosovës në veçanti”.

Në padi thuhet se ky qëndrim në vazhdimësi i Haradinajt është mbajtur përkundër fakteve që sipas padisë, Rama asnjëherë nuk ka diskutuar për tema të tilla.

“Kryeministri i Republikës së Shqipërisë nuk asnjë rol formal e juridiko-politik në marrëveshjen eventuale në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. E kjo për faktin se kjo lloj marrëveshje bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përbën një akt që mund të miratohet vetëm dhe ekskluzivisht nga Kuvendi i Republikës së Kosovës".

Publikimi i kësaj padie ka sjellë edhe reagimin e vetë të paditurit. Kryeministri kosovar në profiin e tij në facebook pak para mesnate publikoi reagimin e tij, duke i dalë për zot faktit se do përgjigjet në gjykatë.

Ramush Haradinaj: Sot është raportuar në media se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deponuar padi kundër meje në Gjykatë. Unë, sipas ligjit, do të përgadis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore! Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diverzion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë.

Marrëdhëniet mes dy kryeministrave prej kohësh kanë qenë të acaruara dhe kanë vijuar edhe për takime me ndërmjetës ndërkombëtarë ku Haradinaj deklaroi se Rama i kishte bërë  presion  për heqjen e tarifës për mallrat serbe, në prani të kancelares Merkel dhe Presidentit të Francës, Macron.

EMISIONET