Kryeministri Rama paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë projekt të ri infrastrukturor për 2020, përveç projekteve që lidhen me ujitjen dhe kullimin.

Duke folur në mbledhjen e qeverisë, Rama tha se vetëm rrugët e nisura do të përfundohen.

Rama: I kam kërkuar dje pasi kam dëgjuar Ministrin e Financave dhe kryetarin e komisionit të Ekonomisë që të bëhet një rishikim terësor i bllokut të projekteve të Ministrisë së linjës në buxhetin e 2020 për ti orientuar drejt përfundimit të projekteve  në vazhdim, të mos lëmë rrugë rrugëve. Kjo do të ishte receta e qeverive të shkuara, jo receta jonë. Asnjë rrugë nuk do ta lëmë rrugëve. Përveç projekteve që kanë të bëjnë me ujitjen dhe kullimin asnjë projekt tjetër nuk do të bëhet. 

Asnjë prej Ministrave të mos diskutojë për këtë çështje. Duhet ta shohim këtë si domosdoshmëri në mënyrë që në fund të 2020, në 2021 të kemi jo më projekte por këto lagje të reja që flasin vetë për shpresën, të ardhmen, rilindjen. Këto do të jenë lagjet e rilindjes pas një situate vdekjeje dhe traume kombëtare.

Për financimin sigurisht që duhet të kemi kritere shumë strikte për sigurimin prioritar të strehimit. Do të bëjmë ndërtime të reja që do të jenë shembullore. Do të vendosin një standard sesi qeveria mund të ndërtojnë me të njëjtin nivel dhe shumë më pak shpenzime që ndërtojnë ata që janë në avangardën e industrisë së ndërtimit. Do ta shohim këtë program që duhet të impaktojë drejtëpërdrejtë ekonominë e vendit, që duhet të rrisë punësimin dhe konsumin.

Nga ky program duhet të sjellim në ekonomi dhe jo ti marrim ekonomisë, siç do të bënin të tjerët dhe siç sugjerojnë disa që nuk dinë asnjë muhabet tjetër përveçse avazit të vjetër që na ka sjellë në shumë drejtime aty ne sot jemi pavarësisht gjithë punës që kemi bërë në këto 6 vite.

Nuk bëhet fjalë për një efekt transferimi të ardhurash si në rastin e finacimit të apartamenteve ekzistuese, por edhe një opsion për ata që sigurojnë vetë një banesë dhe ndihma e përcaktuar nga shteti shkon për ta është pjesë e skemës duke u studiuar. 

Sa i përket fondit ne do të kalojmë si fazë të parë nga buxheti i 2020, 0.4 të prodhimit të përgjithshëm kombëtar duke u siguruar që defiçiti primar pozitiv të mbetet pozitiv. Asnjë ndryshim parametrash që mund të kërcënojë qëndrueshmërinë  e gjithë sistemit makroekonomik. Pasja e një defiçiti primar pozitiv do të na mundësojë atë që është domosdoshëri, një likujditet të domosdoshëm për operimin në 2020.


/Ora News.tv/