Kreu i PD, Lulzim Basha, ka propozuar një paketë me 5 pika për rimëkëmbjen e biznesit të prekur nga tërmeti në Durrës. Basha thotë se kjo paketë është ndihma më e mirë për ruajtjen e mijëra vendeve të punës.

Por për kryeministrin, Edi Rama, një pjesë e sugjerimeve të publikuara nga Basha lidhur me bizneset e dëmtuara në Durrës, përkojnë me propozimet e hartuara nga kryetari i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit dhe Ministrja e Financave.

Megjithatë, Rama insiston se refuzimi i tryezës së përbashkët nga ana e shefit të opozitës është gabim i madh.

Kryeministri në vijimësi e ka ftuar Bashën të ulen në tryezë dhe të ballafaqojnë idetë për tejkalimin e kësaj situate.

Por Basha nga ana tjetër thotë se opozita nuk do të bëhet fasadë e qeverisë dhe se rolin e saj po e ushtron më së miri në terren në krah të qytetarëve.




/Ora News.tv/